Shtëpia e futbollit shqiptar, stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër është gati për të pritur heronjtë e saj, Kombëtaren shqiptare të futbollit.
Impianti i ri, pas ndërtimit të pjesshëm dhe rikonstruksionit, ka mbyllur punimet dhe pret vetëm hapjen e dyerve për kuqezinjtë dhe 17 mijë tifozët që pritet të mbushin shkallët e stadiumit në ndeshjen miqësore Shqipëri-Marok të 31 gushtit.
Atmosfera në qytet ka nisur të ndihet dhe shumëkush tashmë po i paraprin zhvillimit të kësaj ndeshjeje. Në Shkodër, futbolli asnjëherë nuk anashkalohet e aq më tepër Kombëtarja.
Edhe pse një takim miqësor ndaj një skuadre si Maroku, shkodranët presin me endje të shohin në stadiumin e ri djemtë e De Biazit. Stadiumi i ri, me gjithë kritikat për shumëkënd në Shkodër, duket si një ëndërr. Në Shkodër nuk ka dyshime. Të gjithë për Kombëtaren.
Biletat, ka dyndje tifozësh në sportel
Prej ditësh, në Shkodër kanë dalë në shitje edhe biletat për ndeshjen Shqipëri- Marok të 31 gushtit, por edhe për sfidën tjetër eliminatore të kupës së botës “Rusi 2018” mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Biletat për këto dy ndeshje, përveçse online, po shiten edhe në sportelet e hapura te stadiumi “Loro Boriçi”. Deri në këto momente një fluks i madh tifozësh ka siguruar biletat fillimisht për ndeshjen me Marokun ku do të bëhet edhe inaugurimi i stadiumit dhe do të jetë një ditë e veçantë për Shkodrën, por edhe për ndeshjen tjetër mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Çmimet e biletave nga një pjesë në Shkodër cilësohen si të shtrenjta për shkak të kushteve ekonomike të një pjese të madhe të tifozëve, ndërsa për pjesën e mesme dhe të pasur nuk ka diskutime.





