Shkodran Mustafi nuk i ka thënë menjëherë “po” Arsenalit, pavarësisht emrit të madh që ky klub ka. Mbrojtësi me origjinë shqiptare ka zbuluar se “sita” e fundit e mendimeve të tij pro dhe kundër ishte biseda me shokun e tij të skuadrës në kombëtaren gjermane, Mesut Ozil, para se të jepte autorizimin përfundimtar për kalimin në “Emirates Stadium“.
Mustafi do të zyrtarizohet këtë javë si lojtar i “Topçinjve”, pasi trajneri Arsene Wenger e zbuloi hapur akordin me shtatlartin e Valencias pas fitores 3-1 me Watfordin. Francezi theksoi se kanë mbetur për t’u kryer vetëm procedurat formale. Në Londër Mustafi do të luajë përkrah gjermanit Per Mertesacker, i cili është aktualisht i dëmtuar dhe mbase përbën arsyen kryesore pse Wenger vendosi të ndërhyjë në merkato për repartin defensiv.
Gjithsesi, ish-lojtari i Evertonit dhe Sampdorias zbuloi se Ozil e bindi atë të transferohet në Premier League.
“Nuk e kam parë prej kohësh Perin, sepse ai është larguar nga kombëtarja, por fola me Mesutin. Ai më tha gjithçka që doja të dija. Gjithçka ishte pozitive, kështu që u binda shumë shpejt. Nuk m’u desh shumë kohë”, – u shpreh kampioni i botës.
Një argument i fortë për Mustafin është stili i lojës që praktikon skuadra e Wengerit, e cila i kujton kampionatin spanjoll dhe … kombëtaren gjermane!
“Gjithmonë e kam dashur Arsenalin, më pëlqen mënyra se si luan skuadra, nuk është lojë tipike angleze. Këtu loja është më tepër si në Spanjë dhe si kombëtarja gjermane, duke mbajtur topin në tokë, kështu që ishte e lehtë për mua që të bindesha”, – përfundoi 24-vjeçari për “Sky Sports Germany”.





