Përforcimi me Faisal Bangal, sulmuesin e huazuar nga Atalanta në Serinë A, nuk do të jetë goditja e fundit e Teutës në merkato. Zv.trajneri i durrsakëve, Julian Fezgo tha se stafi teknik me në krye teknikun Begeja, vazhdon të presë të paktën edhe një lojtar në repartin ofensiv, për të garantuar golat drejt Europës: “Jemi në pritje të një ose dy lojtarëve që kemi kërkuar nga stafi. Shpresojmë që këto ditë gjithçka do të realizohet. Përforcimet e kërkuara janë në pjesën ofensive, me sulmues”.Nevoja për lojtar goli në repartin ofensiv është konfirmuar në miqësoret përpara startit të sezonit, ndërsa fitorja e fundit ndaj Laçit në kohën shtesë e afroi Teutën me ndeshjen e parë të kampionatit: “Teuta ka zhvilluar disa ndeshje miqësore. Ndaj Laçit ishte një test që na afron edhe më tepër me kampionatin, pasi bëhet fjalë për një kundërshtar të Superiores dhe na nevojitej përballja me një ekip të fort dhe rival direkt. Përgjithësisht skuadra zhvilloi një paraqitje e mirë.”Pavarësisht asaj që ndodh deri në mbylljen e merkatos, Teuta ka ruajtur grupin që mahniti gjatë sezonit të kaluar, ndërsa të pandryshuara mbeten edhe objektivat e skuadrës: “Nuk ka shumë ndryshim nga ekipi i vjetshëm, megjithatë Teuta ka forca për të pretenduar për më lart. Si gjithmonë, ne do të bëjmë përpjekje maksimale për të qëndruar në pozicionet e larta të renditjes dhe për të rivalizuar ekipet më të mira të kampionatit.”