Bardhyl Duzha është punëtori që tentoi të shpëtonte të miturin nga Shkozeti, që humbi jetën pas rënies në tunelin e ashensorit të një fabrike në Durrës.

Duzha ka folur nga spitali për ngjarjen tragjike, ku humbi jetën 15-vjeçari Klodian Lala. Duzha ka thënë se ashensori u prit në katin e tretë dhe se ai ishte detyruar të hidhej.

“Ashensori u prish në katin e tretë, dhe unë u detyrova të hidhesha. Por kur pashë që pas meje ishte një fëmijë, që rrinte varur, shkova ta ndihmoja, por s’ia dola dot”, tha ai.

“Ishim duke punuar që në 8 të mëngjesit, deri pasdite. Po merrnim materialet, ato stolat. Në momentin e fundit, ikën ashensori lart. Shkoj në katin e tretë, por nuk punonte.

U hodha te bazamenti i shesh-pushimit. Kur ktheva kokën ishte një fëmijë pas. Ishte varur tek ashensori, shkoj ta kap, por ramë të dy brenda në gropë.

Unë fatmirësisht shpëtova, por djali jo. Nuk e kisha parë ndonjëherë, ndoshta aty punonte nëna e tij. Ne po lëviznim prej atij vendi ku punonim”, pohon Duzha.