Partia Demokratike ka dorëzuar zyrtarisht në komisionin e posaçëm amendamentet e plota të ligjit për Vettingun. Kështu, PD ka dorëzuar 7 çështje që përkthehen në 28 amendamente.

Sipas Partisë Demokratike, ligji aktual i propozuar paraqet probleme të thella me Kushtetutën, ndërsa i hap rrugën kontrollit të qeverisë mbi organet e drejtësisë.

“Roli aktiv dhe përcaktues që kanë organe të kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv (ILDKPKI dhe DSIK), sjell kontroll tërësor të Qeverisë në të gjithë komponentët e procesit të rivlerësimit.

Organet e reja të Vettingut vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Qeverisë sepse telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen në mënyrë periodike nga agjenci në varësi të Qeverisë, si psh. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave”, thotë PD-ja.

Opozita thekson se teksti i projektligjit nuk detajon procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të organeve të vettingut, si dhe procesin e vlerësimit të kandidaturave

“Procesi dhe standardet e kontrollit të figurës cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe nenin DH të Aneksit të Amendametneve Kushtetuese.

Projektligji cenon barazinë përpara ligjit të sanksionuar në nenin 18 të Kushtetutës, standardet e procesit të rregullt ligjor, të sanksionuar në nenin 42/2 të Kushtetutës, si dhe parimin e llogaridhënies së organeve kushtetuese, si element thelbësor i shtetit të së drejtës”, thotë PD-ja.