Një tjetër tërmet ka tronditur Italinë pasditen e sotme.
Tërmeti prej 4.4 ballësh i shkallës Rihter ka rënë 4 kilometra larg qytetit të Norcias, në provincën e Ascoli-Piceno-s, në orën 17.55.
Ai pason lëkundjen e regjistruar në orën 15.07 të ditës së sotme, me intensitet 3.7 ballë.
Deri tani nuk ka informacionet për dëme apo viktima, por nga paniku njerëzit kanë braktisur banesat dhe kanë dalë në rrugë.
Ndërkohë në qytetin e Amatrice-s, më i godituri nga lëkundja prej 6 ballësh, mbeten ende 14 persona të paidentifikuar, 5 prej të cilëve do t’i nënshtrohen analizës së AND-së.
Në qytetin turistik, ekipet e shpëtimit vazhdojnë të gërmojnë, për të rikuperuar trupat të viktimave të mbetura nën rrënoja, megjithëse shpresat për të gjetur akoma njerëz të gjallë nuk janë shuar.
Deri tani janë regjistruar 290 të vdekur e qindra të plagosur, ndërkohë që toka është lëkundur 1800 herë.





