Një tjetër rast i trafikut ndërkombëtar të drogës është goditur sot nga autoritetet italiane në bashkëpunim me ato shqiptare.

Një gomone me 300 kilogramë drogë, e nisur nga Shqipëria është kapur në Itali. Në orët e para të ditës së sotme, Salla Operative e grupit Aereo Naval të Taranto ka marrë njoftim nga Patrulla e Përbashkët GdF dhe Delta, që një mjet po lëvizte drejt brigjeve italiane.

Helikopteri i GdF në orën 06:10,  ka diktuar një gomone rreth 5 metra me dy persona në bord, në një distancë 24 milje nga grykëderdhja e lumit Vjosa dhe ka konstatuar disa pako në të.

Gomonia vinte nga brigjet shqiptare me shpejtësi 20 milje në orë.

Ndërhyrja e shpejtë e autoriteteve italiane bëri të mundur prangosjen e dy skafistëve shqiptarë. Sipas informacioneve të dhëna nga policia në pranga kanë përfunduar shtetasit: 

B. K, 46 vjeç, lindur në Qerret, Kavajë.

T. V, 36 vjeç, lindur në Qerret, Kavajë.

Mjeti lundrues i Guardia di Finanza BSO110 i Qendrës së GdF Vlorë, në bordin e të cilit ndodhej edhe efektiv i Delta Forcë Radhimë Vlorë, si dhe një mjet lundrues i shpejtë i Repartit GdF të Puglia mbështetën veprimet e përbashkëta.

Rreth orës 11:00 të paradites gomonia, e cila po ndiqe,j u bllokua dhe u ndalua nga pjesëmarrësit në këtë operacion, në një distancë 24.8 milje nga grykëderdhja e lumit Vjosa.

Në këtë gomone u gjetën 12 pako të dimensioneve të ndryshme, me rreth 300 kg mariuana (Canabis Sativa).

Gomonia u shoqërua për në portin e Brindisi-t. Gjatë këtij shërbimi, mjeti lundrues BSO110 me punonjësin e Policisë Shqiptare në bord, bëri kontrollin edhe të një motopeshkarexhë, e cila lundronte disa milje në distancë nga objektivi, ku rezultoi që në bordin e peshkarexhës nuk u gjendën materiale të dyshimta.