Pothuajse të gjithë ekipet që morën pjesë në Rio 2016 u pritën me ceremoni zyrtare pas kthimit nga Brazili. Për ato vende që nuk patën rezultate të pritshme (si Shqipëria) ekipet u kthyen në heshtje. Një gjë tjetër do të ndodhë në Korenë e Veriut, vendin komunist dhe diktatorial. Mediat shkruajnë se lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un është mërzitur tej mase me rezultatet e arritura.

Sipas të njëjtave burime ai kishte kërkuar nga ekipi që të kthehej nga Rio me të paktën 5 medalje të arta dhe minimumi 12 të tjera argjendi dhe bronzi. Në fund të garave 31 sportistët koreano-veriorë arritën të marrin vetëm 2 të arta, 3 argjendi dhe 2 bronzi duke qenë shumë larg kërkesës madje edhe nga lojërat e zhvilluara 4 vjet më parë në Londër ku morën 4 të arta dhe 2 bronzi.

“Ata që morën medale të artë do të shpërblehen me një shtëpi të re, racione ushqimi më të mira, një makinë dhe ndoshta me dhurata të tjera nga regjimi, por Kim është shumë i zemëruar me rezultatet” – tha Toshimitsu Shigemura, një profesor në Universitetin Waseda në Tokio dhe i lidhur me udhëheqjen e Koresë së Veriut.

“Ata që zhgënjyen me paraqitjen e tyre do të dërgohen të jetojnë në zona të varfra dhe shtëpi pa kushte, racionet e tyre ushqimore do të jenë të reduktuara dhe në rastin më të keq do të dërgohen të punojnë në minierat e qymyrit si ndëshkim” – tha ai.

Ka pasur raportime se pasi u poshtërua 7-0 nga Portugalia në Kupën e Botës 2010, ekipi koreano-verior i futbollit u dërgua në punë të detyruar në minierë. Ata kanë punuar aty 1 ose 2 vjet.

E njëjta gjë mund të ndodhë edhe për disa nga atletët dhe trajnerët e Rios. Megjithatë Kim Myong-chol, drejtor ekzekutiv i qendrës për paqe mes Koresë së Veriut dhe SHBA tha se “atletëve do tu rezervohet një pritje e ngrohtë në Pyongyang dhe do të trajtohen si heronj”.

Ai tha se fituesit e medaljeve do të marrin apartamente të reja, makina dhe shumë dhurata ndërsa këmbëngul se nuk do të ketë ndëshkim për të tjerët. “Nuk do të ketë ndëshkime, vetëm inkurajim për të dalë më mirë në Olimpiadën e ardhshme”– tha ai.