UEFA ka njoftuar së fundmi se çdo klub kampion që nuk merr pjesë në grupet e Champions League do të përfitojë 260 mijë euro, dhe tashmë mbetet për t’u parë se cili klub do ta përfitojë në Shqipëri këtë premio, Skënderbeu kampion, apo Partizani që e zëvendësoi atë në kualifikueset e Ligës së Kampioneve.
Për Takajn nuk ka asnjë dyshim se kujt i takon ajo premio: “Nuk ka asnjë dyshim që premio e UEFAs na takon ne, pasi Skënderbeu është kampion i Shqipërisë. Ajo që ndodhi me mospjesëmarrjen në Champions nuk ka të bëjë fare me kampionatin dhe titullin që kemi fituar në fushë. Ne thjesht u quajtëm të papërshtatshëm për të marrë pjesë në Europë gjatë këtij edicioni”.
Në anën tjetër edhe drejtori i përgjithshëm i Partizanit Genc Tomori shprehet i takon “demave” ai shpërblim pasi luajtën ata në Ligën e Kampioneve: “Ne morëm pjesë në Champions, kështu që rrjedhimisht ajo shumë i takon klubit që u përfaqësua në këtë kompeticion. Nëse kjo shumë do t’i kalojë Skënderbeut, natyrisht që do të na vije keq, sepse ishte Partizani klubi që përfaqësoi Shqipërinë në Champions. Ai shpërblim na takon ne”, ka deklaruar mes të tjerave Tomori.





