Teuta arrin fitoren e parë në ndeshjet miqësore të luajtura në Durrës. Ekipi i drejtuar nga Gentjan Begeja ka mundur dje minimalisht Laçin, falë një goli të shënuar në limitin e takimit nga mesfushori Emiljano Musta. Miqësorja e luajtur në stadiumin “Niko Dovana” ka nisur më mirë për të zotët e shtëpisë, që me anë të afrimit të fundit, Faizal, rrezikojnë portën kurbinase.Sulmuesi nga Mozambiku bën një driblim mjaft të bukur dhe jep një top për Mustën, por elbasanasi nuk tregohet i saktë në momentin final. Më pas, ndeshja luhet më shumë në mesin e fushës, ku të dyja ekipet bëjnë gabime të shpeshta në pasime. Trajnerët Begeja dhe Troisi qëndrojnë në këmbë dhe u kërkojnë lojtarëve të jenë më të saktë dhe të shmangin aksionet individuale.Kur po i vinte fundi pjesës së parë, është Gripshi, i cili merr një top nga Çyrbja, futet në zonë dhe pason për Faizal, por largon rrezikun mbrojtja mike. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura. Në fraksionin e dytë loja është më agresive dhe duket se bëjnë efekt udhëzimet e dhëna nga trajnerët gjatë pushimit. Ekipet krijojnë më shumë, duke luftuar për topin e parë.Miqtë nga Laçi tentojnë me një goditje jashtë zone, por ish-portieri i tyre, Moçka, u mohon golin, duke grushtuar mrekullisht. Djemtë e Begejës rikuperojnë menjëherë dhe mundohen të korrigjojnë, duke provuar me një zbritje të shpejtë të Çyrbjes, i cili kroson për Faizal, që kërcen me kokë, por topi nuk ka shënjestrën e duhur.

Rastin më të pastër për të shënuar e ka sulmuesi brazilian, Taubate, i cili i vetëm me Moçkën godet dobët. Kur të gjithë prisnin vërshëllimën e kryesorit Koçi, është Musta, i cili përfiton nga një moskoordinim i portierit Selmani dhe mbrojtjes, duke e dërguar topin në rrjetë dhe mbyllur miqësoren me fitoren e Teutës.Trajneri i Laçit, Marcelo Troisi, pas përfundimit të takimit, u shpreh i kënaqur me lojën e skuadrës, por pati rezerva vetëm për finalizimin e aksioneve.“Skuadra luajti mirë, edhe pse bëmë gabime, të cilat mund të shmangeshin. Kemi nevojë për më shumë përqendrim, që të mos pësojmë gola të tillë në fundin e lojës. Duhet që ekipi të sforcohet më shumë dhe të luajë i lirshëm, pa bërë gafa të tilla, që kushtojnë shtrenjtë”, deklaroi braziliani.Numri dy i pankinës së Teutës, Juljan Fezgo, deklaroi pas ndeshjes se faza përgatitore i ka ngarkuar shumë futbollistët.“Jam i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve, djemtë u impenjuan dhe treguan që kanë dëshirë të fitojnë. Në pjesën e parë zhvilluam një lojë shumë të bukur, ku e kërkuam me ngulm golin, ndërsa në pjesën e dytë bëmë disa gabime të vogla, por që janë të pranueshme dhe të riparueshme. Duhet kuptuar që edhe faza përgatitore ka qenë e ngarkuar”, ka thënë Fezgo.