Deputetë, ish-deputetë, ish-ministra, gjyqtarë e prokurorë, shumë shpejt do të duhet që të japin llogari për pasuritë që kanë vënë ndër vite. Me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë Speciale, të gjithë do kalojnë në sitë, teksa më të rriskuarit janë ata individë me dosje. Teksa deri më tani Adriatik Llalla ka fjetur mbi dosje edhe pse ILDKP ka bërë rreth 160 kallëzime penale për fshehje pasurie, duket se me ngritjen e institucioneve të reja të gjithë do të duhet të japin llogari. Sipas burimeve, sapo të miratohet ligji i SPAK dhe për deklarimin e pasurisë, ILDKP do ushtrojë një kontroll të imtësishëm të të gjitha dosjeve të zyrtarëve ndër vite dhe kushdo që del me dosje do të shkojë në ILDKP. Mirëpo mësohet se për një pjesë të zyrtarëve disa dosje janë gati, për shkak se është bërë kallëzim penal dhe pritet që ato të kalojnë te SPAK.
Sipas burimeve të sigurta pranë ILDKP, edhe nëse dosjet që ka prokuroria nuk shkojnë atje, pritet që të ripërsëriten kallëzimet dhe për këtë arsye të gjithë do të duhet të japin llogari. Vetëm në 3 vitet e fundit janë kallëzuar në organin e akuzës 160 zyrtarë, pasi kanë fshehur rreth 38 milionë euro. Mirëpo mësohet se një hetim më të thellë do të ketë për paratë e dërguara jashtë vendit. Aktualisht janë në hetim mbi 14 zyrtarë që dyshohet se kanë fshehur para në banka të huaja dhe kanë bërë transferta jashtë vendit. Ata janë kallëzuar në prokurori nga ILDKP dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë lëvizje nga organi i akuzës. Sipas burimeve nga ILDKP, dosjet e tyre pritet që të kalojnë te SPAK dhe do ripërsëriten kallëzimet. Në listë ka emra nga më të ndryshmit, nga ish-deputetë, ish-ministra, gjyqtarë e prokurorë. Sipas ILDKP, bëhet fjalë për shuma të mëdha parash që ata dyshohet se i kanë fshehur dhe jashtë vendit. Për këtë arsye me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të gjithë do kalojnë në sitë, teksa do të ketë një asistencë dhe nga FBI dhe PMECA. Sipas burimeve, përmes asistencës së tyre do kontrollohen paratë që mund të jenë fshehur në SHBA dhe në vendet e BE.
Emrat
Sipas statistikave të ILDKP, në prokurori gjatë viteve të fundit janë kallëzuar penalisht 160 zyrtarë, për fshehje dhe mos deklarim të pasurisë. Por ashtu siç kreu i këtij institucioni e ka denoncuar, prokuroria nuk ka bërë asnjë veprim, ose akoma më keq ka mbyllur dosjet. Por duket se me reformën në drejtësi duket se dosjet do rihapen. Juristi Saimir Vishaj ka thënë për gazetën se dosjet që janë mbyllur do të rihapen dhe askush nuk do ketë shpëtim. “Është e vërtetë që mund të hapen dosjet që prokuroria i ka pezulluar, por me kusht që të mos ketë kaluar afati i parashkrimit”, ka thënë Vishaj. Por sa u takon emrave, në listë është ish-kreu i Gjykatës së Apelit Tiranë, Alaudin Malaj, i kallëzuar nga ILDKP se ka fshehur 1.7 milionë euro. Po ashtu, ILDKP i kërkoi prokurorisë të hetojë për transferta të dyshimta jashtë vendit. Një tjetër emër është Petrit Aliaj. Edhe ky gjyqtar i kallëzuar për fshehje pasurie dhe ILDKP ka hedhur dyshime për fshehje jashtë vendit. Sa u takon emrave të tjerë në listë janë ish-ministri Dritan Prifti, i kallëzuar se ka fshehur 4.6 milionë euro. Po ashtu edhe ish-deputetët Andis Harasani dhe Arben Ndoka. Edhe ata përveçse janë kallëzuar për fshehje pasurie, ILDKP ka pasur dyshime për transferta jashtë vendit. Në listë janë dhe zyrtarë të tjerë si drejtorë apo inspektorë Tatimesh që janë kallëzuar më herët për fshehje të pasurisë, teksa dhe për ta ILDKP ka kërkuar hetim pasi ka dyshime se para kanë dalë dhe jashtë vendit.
Kompetencat e SPAK
Një ndër kompetencat kryesore të Prokurorisë Speciale do të jetë gjetja e pasurive të pista. Janë rreth 30 vepra penale që nuk do u takojnë më prokurorive normale, ku pastrimi i parave dhe fshehja e pasurisë do kalojë pikërisht te SPAK. Sipas ligjit që pritet të miratohet në Kuvend, dy institucionet kyçe ILDKP dhe Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave duhet që të raportojnë në SPAK për çdo dyshim kur ka fshehje a pastrim parash. Nga ana tjetër në Prokurorinë Speciale do të ketë një drejtori që do merret vetëm me bashkëpunim ndërkombëtar. Do bashkëpunohet me disa institucione si PAMECA, EUROPOL, Interpol, Eurojust, etj. Falë tyre do të gjurmohen të gjitha transaksionet bankare. Pastaj mbetet të shihet nëse paratë që zyrtarë e mëposhtëm kanë vënë janë të paligjshme apo jo. /SOT





