Problematika e gjykimit në ndeshjen mes Teutës dhe Partizanit ka qenë sot temë diskutimi në studion e “Skaner” ku janë “ballafaquar” drejtori teknik i durrsakëve, Sulejman Starova si dhe drejtori i Partizanit, Olsi Rama.
Ky i fundit e ka cilësuar si të pazakontë caktimin e gjyqtarit Ferataj që nuk ishte një nga emrat kryesorë të arbitrimit në Shqipëri, nga kishte rrjedhur edhe paragjykimi për të e më pas edhe dyshimi duke parë disa statistika të ndeshjes.
“Përtej penalltisë e kartonëve të verdhë, ku është edhe një Brojës i paqenë, nëse flasim me statistika Teuta ka marrë 24 faulle dhe Partizani 10, në një ndeshje të luftuar, ndër të cilat tre janë vërshëllyer ku topi është nxjerrë jashtë apo ishte në vazhdimësi aksioni premtues për ne. Pra janë dhënë vetëm 7 faulle në një ndeshje të tillë e çdo kontrast shoqërohej me vërshëllimë në favor të Teutës”, tha Rama për gjyqtarin.
Ndërkohë, Starova insistoi se lista e gjyqtarëve të mundshëm ishte “holluar” për shkak të refuzimeve që kishin dy palët për gjyqtarë të veçantë.
“Jorgji sa te ketë jetën nuk do të prekë bilbil me Teutën. Meta sa të ketë jetën gjithashtu. Daja kundërshtoi katër herë rresht Hamitin, iku edhe ai. Juxhin Xhaja ishte protagonist kundër Teutës në 2 ndeshje”, tha Starova.
“Atëherë paskan qenë me kërkesë të Teutës”, u kundërpërgjigj Rama.
“Ne nuk kemi asnjë kundërshtim, thjesht kemi thënë se Hamiti na ka arbitruar disa ndeshje radhazi. Për Jorgjin e mësova sot, Xhajën nuk e dija. Meta edhe mund të ishte, por do të kishte konflikt interesi meqë e kemi dërguar në Prokurori, por nuk kemi bërë kundërshtim për të në Federatë”, tha drejtuesi i Partizanit.
Më pas, ky i fundit u ngacmua se kishte komunikuar me gjyqtarin në pushimin e ndeshjes dhe sipas Starovës, një nga drejtuesit e Teutës e kishte dëgjuar duke ofenduar e kërcënuar gjyqtarin.
“Nuk mohoj asnjëherë gjërat që kam bërë, por nuk kam bërë asgjë tjetër përveçse i kam kërkuar drejtësi. Ka ndodhur kur dola pas pushimit nga dhomat e zhveshjes dhe isha në tunel para se të ngjitesha lart. I kam thënë vetëm “Mbaje drejt”, pasi kam përgjegjësinë si drejtues i Partizanit që të mbroj djersën e mundin e skuadrës. Nëse të kërkosh drejtësi quhet t’i bësh presion…”, shpjegoi Rama.





