Dhimbjet e barkut janë mjaft të shpeshta në praktikën ambulatore të mjekëve infeksionistë. Pothuajse të gjithë njerëzit kanë provuar një herë në jetën e tyre, por edhe më tepër, dhimbjet e barkut. Shkaku i dhimbjeve të barkut diagnostikohet në bazë të karakteristikave të dhimbjes, ekzaminimit fizik (vizitës klinike të pacientit) si dhe ekzaminimeve klinike (qofshin këto analiza klinike-biokimike apo imazherike). Sipas mjekes infeksioniste Ilda Xhelili, diagnozat e shkaktarit të dhimbjeve mund të jenë atipike, sëmundjet që e shkaktojnë dhimbjen shpesh imitojnë njëra-tjetrën dhe karakteristikat e dhimbjes mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Sipas mjekëve të familjes, të shumta janë rastet e fëmijëve që kanë dhimbje të barkut, por kur ato shoqërohen edhe me temperaturë, sugjerohet se ka infeksion. Mjekët këshillojnë se në kushte shtëpie duhet vetëm të pihet çaj kamomili dhe të përdoret një dietë e mirë ushqimore, dhe me porcione të vogla. Përdorimi i medikamenteve pa u këshilluar me mjekun mund të ketë pasoja të rënda për pacientin.

Çfarë kuptojmë me dhimbje barku?

Barku është një zonë anatomike që kufizohet sipër nga brinjët dhe diafragma, kurse poshtë nga kockat e legenit (bacinit). Edhe pse dhimbja e barkut mund të vijë nga indet e murit të barkut që rrethojnë zgavrën e barkut (të tilla si lëkura dhe muskujt e murit të barkut), termi “dhimbje barku” në përgjithësi përdoret për të përshkruar dhimbjen me origjinë nga organet që ndodhen brenda zgavrës së barkut. Organet e barkut përfshijnë stomakun, zorrët, mëlçinë, fshikëzën e tëmthit, shpretkën dhe pankreasin. Po ashtu, në pjesën e poshtme të barkut ndodhen fshikëza urinare, gjëndra e prostatës te meshkujt, dhe te femrat kemi uterusin (mitra) dhe vezoret së bashku me tubat përkatës (tubat e Fallopit). Herë pas here, dhimbja mund të ndihet në bark, edhe pse ajo mund të rrjedhë nga organet që janë afër, por jo në zgavrën e barkut (si për shembull veshkat, vezoret, uterusi etj.). Nga ana tjetër është gjithmonë e mundur që dhimbja të vijë nga organet e zgavrës së barkut dhe të perceptohet jashtë tij; për shembull, dhimbja e inflamacionit (infeksionit) të pankreasit mund të ndihet në pjesën e pasme të tij.

Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të dhimbjeve të barkut?

Shkaku kryesor i dhimbjeve abdominale (dhimbjet e barkut) është në radhë të parë inflamacioni (infeksioni) i një organi, për shembull apendicit, kolit etj. Shkak tjetër mund të jetë bllokimi i zorrëve, bllokimi i rrugëve të tëmthit nga gurët, zmadhimi i mëlçisë në rastin e hepatiteve, apo edhe zvogëlimi deri në mungesë të plotë të furnizimit me gjak të një organi për arsye të ndryshme (për shembull kolitet ishemike). Një ndër shkaqet jo të rralla është edhe sindromi i zorrës së irrituar. Nuk është e qartë se çfarë e shkakton këtë lloj dhimbjeje, po besohet të jenë tkurrje jonormale e zorrëve (spazma intenstinale) si rezultat i hiper-ngacmueshmërisë nervore të zorrëve. Këto lloj dhimbjesh shpesh referohen si dhimbje funksionale, për shkak se nuk ka anomali të njohura specifike për të shpjeguar shkaqet e kësaj lloj dhimbjeje. Gjithashtu dhimbjet mund të vijnë edhe si rezultat i intolerancave të ndryshme ushqimore apo edhe intoksikacioneve alimentare, apo siç njihen helmimet ushqimore.

Si përcaktohet diagnoza për këto lloj dhimbjesh?

Historia e pacientit është e rëndësishme për të ndihmuar mjekët në përcaktimin e shkakut të dhimbjes. Mënyra se si fillon dhimbja është mjaft e rëndësishme. Dhimbja e barkut që vjen papritur sugjeron një ngjarje akute (të menjëhershme), siç është për shembull ndërprerja e furnizimit me gjak e zorrës së trashë (ischemia) ose pengimi i rrugëve të tëmthit nga gurët e tëmthit (dhimbja në këto raste është e lokalizuar në anën e djathtë, poshtë brinjës, dhe përhapet në shpinë). Në rastin e apendicitit dhimbja fillon zakonisht në mes të barkut dhe pastaj lëviz në drejtim djathtas, deri në rrëzë të kofshës, në anën e djathtë. Rëndësi ka edhe kohëzgjatja e dhimbjes. Në rastin e zorrëve të irrituara dhimbja mund të zgjasë me muaj, pushon dhe përsëritet për vite të tëra. Dhimbjet e gurëve të tëmthit vazhdojnë me orë dhe në varësi të rrugëve të bllokuara ato kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale. Dhimbjet e pankreatitit (infeksioni i pankreasit) mund të vazhdojnë një ose disa ditë. Dhimbjet e stomakut dhe ato të zorrës së hollë mund të lirohen përkohësisht nga të vjellat, të cilat reduktojnë fryrjen e shkaktuar nga substance acide (siç ndodh në ulçerat) apo nga helmimet ushqimore. Prania e etheve dhe e temperaturës sugjeron inflamacionin (infeksionin). Diarreja ose gjakderdhja e zorrës së trashë sugjeron për problem të zorrëve. Po ashtu, dhimbjet e barkut mund të kenë shkaktarë edhe medikamente të ndryshme që pacientët marrin për sëmundje të ndryshme. Por mund të ndodhë që simptomat klinike të jenë atipike. Për shembull, dhimbja e apendicitit mund të jetë e vendosur në pjesën e sipërme të barkut pa përparuar drejt anës së djathtë. Po ashtu, te pacientët e moshuar dhe pacientët që përdorin kortizonikë dhimbjet mund të jenë të lehta edhe kur ka prani të infeksioneve të ndryshme. Por sot përparimet moderne në teknologji kanë përmirësuar në një masë të madhe saktësinë, shpejtësinë dhe lehtësinë e diagnostikimit të dhimbjeve abdominale. Ekzaminimet që ndihmojnë në këto raste janë ato të gjakut (klinike dhe biokimike) si dhe ekzaminimet imazherike (EKO, skaner, rezonancë magnetike apo edhe ekzaminimet fibroskopike).

Çfarë do të rekomandonim për pacientët që kanë të tilla probleme, dhe sidomos ata në moshë të vogël?

Është e rëndësishme të theksojmë që në fillim se dhimbjet e barkut kërkojnë një vlerësim të kujdesshëm mjekësor. Prandaj nuk duhen nënvlerësuar. Si për fëmijët, edhe për më të rriturit, në kushte shtëpie mund të përdoret vetëm çaji kamomili dhe ushqyerja të jetë e shpeshtë dhe në porcione të vogla. Mos përdorni kurrë preparate që qetësojnë dhimbjet e barkut pa këshillimin e mjekut! Qetësimi i dhimbjeve mund të manipulojë diagnostikimin e saktë. Në rastin e diarreve është bërë e zakonshme që njerëzit përdorin loperamidin pa këshillimin e mjekut. Loperamidi përdoret në kushte të përcaktuara nga mjeku dhe në qoftë se nuk përdoret si duhet ai jo vetëm që nuk e ndalon diarrenë, por përkundrazi, mund ta thellojë atë dhe të shtojë dhimbjet e barkut. Kujdes duhet të bëjnë pacientët që përdorin për periudha të gjata preparate kortizonike, aspirinë dhe hollues të gjakut. Këta duhet të jenë nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekëve. Për sa i përket stilit të jetesës, rekomandohet një dietë e mirë ushqimore, kujdes në përdorimin e duhanit dhe konsumin e tepërt të alkoolit. E rëndësishme është edhe higjiena personale (lani sa më shpesh duart) për të shmangur kontaminimin me viruset dhe bakteret, duke zvogëluar kështu shkakun e dhimbjeve të barkut nga faktorët e shumtë infektivë. Mos hezitoni të paraqiteni te mjeku për vlerësimin e dhimbjeve të barkut. /Gazeta Shqiptare/