Shtëpia e Ardit Gjoklajt, 17-vjeçari i gjetur i masakruar në landfillin e Sharrës mëngjesin e së dielës, është në një rrugicë pranë një ngrehine të shkretë në formë oxhaku gjigant, të njohur si TEC-i, në zonën e Kombinatit.
Familja e ardhur nga Tropoja është vendosur aty gati 19 vjet më parë. Ndër vite, familja e ka përballuar jetesën me pagën e kryefamiljarit si punonjës policie. Në vitin e 17-të të jetës, i mesmi i fëmijëve, Arditi, nisi punë për të dhënë kontributin e tij.
Shtëpia njëkatëshe e lyer me bojë të bardhë mban dyert hapur për mort. Më shumë se 60 burra qëndrojnë ulur në disa stola të vendosur në oborrin e banesës, e të tjerë shkëmbejnë cigare dhe ngushëllojnë njerëzit e shtëpisë. Gegë Gjoklaj, babai i 17- vjeçarit, i falënderon dhe u uron shëndet dhe gëzim në shtëpitë e tyre.
Me të njëjtën fisnikëri pranon edhe ngushëllimin tonë. Si malësor, Gega e mban veten fort.
“Duhet mbajtur, na thotë, shpirti ma di dhimbjen që kam, por duhet të jem i fortë për familjen dhe për miqtë”.
Ai nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes dhe të birin e ka gjetur të pajetë në morgun e QSUT-së. Deri më tani, nuk di asgjë nga rrethanat se si është vrarë djali i tij, por ka besim se organet e Drejtësisë do ta zbardhin ngjarjen. Gega nuk kishte dashur që djali i tij të punonte në Sharrë, por kishte qenë këmbëngulja e të birit që e kishte bindur.
“Donte të blinte me paratë e veta rrobat e shkollës”, thotë.
INTERVISTA
Gegë, si u vutë në dijeni për vdekjen e djalit tuaj?
Unë isha në Tropojë prej disa ditësh. Mua më lajmëroi vëllai, i cili banon pranë meje. Arditi nuk ishte kthyer në shtëpi në mëngjes.
Ai përfundonte punën në orën 07:00 dhe me biçikletën që përdorte, nuk i duheshin më shumë se 10 minuta për të mbërritur në shtëpi.
Kur ka kaluar më shumë se 1 orë që nuk është kthyer dhe nuk kanë kontaktuar dot me të, vëllai ka shkuar te puna e tij në Sharrë. Punonjësit atje nuk e kanë lënë të futej në ambientet e brendshme dhe as nuk i ka dhënë njeri llogari.
Disa orë më vonë kanë dëgjuar në TV për një trup të riu të gjendur në Sharrë. Më pas kemi shkuar te morgu. Unë, kur jam kthyer nga Tropoja, e kam gjetur në morg djalin.
A keni mësuar se si i ka marrë djali juaj plagët që i morën jetën?
Deri tani nuk di asnjë gjë. Unë djalin e gjeta në morg, të dëmtuar në një formë që nuk e shpjegoj dot. Unë jam punonjës policie prej 19 vjetësh dhe kam besim tek organet kompetente.
Do të pres përgjigjet e mjekësisë ligjore, autopsisë për të parë nga se janë shkaktuar dëmtimet. Arditi nuk ka qenë i vetëm duke punuar në momentin që ka ndodhur ngjarja.
Aty ka pasur edhe punëtorë të tjerë. Patjetër që njëri prej tyre ka parë atë çfarë apo si ka ndodhur.
Gjithashtu, vendi aty ka qenë me kamera sigurie. Do të pres që organet përgjegjës të hapin kamerat dhe të mësohet se çfarë ka ndodhur. Ia kam lënë në dorë Drejtësisë.
A jeni thirrur deri më tani nga Prokuroria?
Jo, deri tani nuk më ka thirrur njeri. Por është shumë shpejt. Unë nesër (sot) kam varrimin e djalit. Besoj se do të më thërrasin për të më thënë ç’ka ndodhur me tim bir.
Besoni se ngjarja ka qenë aksidentale, apo keni ndonjë dyshim tjetër?
Jetën na e merr Zoti dhe këto janë punë të tij. Nëse ka qenë aksidentale, do ta pranoj vullnetin e Zotit.
Biri im nuk kthehet më. Nëse ekziston ndonjë mundësi tjetër, do të kërkoj zbardhen e saj deri në fund.
Nëse ka njeri përgjegjësi për humbjen e jetës së djalit tim, ai duhet të vendoset para drejtësisë.
Djali im ka ikur me shapka dhe me biçikletë në punë. Është gjetur i vdekur me rrobat e punës veshur. Rrobat e lara i ka pasur mbi biçikletë. Ato janë ende të palëvizura në vendin që ai i ka lënë, te puna në Sharrë. Gjithçka ka ndodhur aty, gjatë orarit të tij të punës.
A ka pasur ndonjë konflikt apo zënkë djali juaj?
Arditi? Konflikte? Absolutisht jo. Asgjë. Arditi ikte në punë dhe kthehej në shtëpi. Ai kishte plot miq dhe shokë, por asnjëherë nuk endej rrugëve.
Edhe kur ishte në shkollë, edhe gjatë pushimeve, mbrëmja Arditin e gjente në shtëpi. Arditi nuk më ka sjellë asnjëherë probleme.
Ishte djalë dhe nxënës i mirë. Ndiqte shkollën e mesme të përgjithshëm dhe njëkohësisht bënte edhe një kurs për hidraulik. E donte punën dhe kishte dëshirë të punonte.
Jeni kontaktuar nga punëdhënësit e Arditit, apo kolegët e tij të punës në Sharrë?
Deri më tani, asnjëri prej tyre nuk ka ardhur këtu. Nuk e di pse. Unë kam hapur dyert për mort dhe shtëpia pret gjithkënd. Nuk më ka ardhur ndonjëri nga ata, as përgjegjës, apo punëtor, qoftë edhe për të pirë një kafe ngushëllimi. Kanë ardhur të tjerë miq dhe shokë të Arditit, të gjithë, por nga kolegët e punës së tij në Sharrë nuk ka ardhur njeri.
Prej sa kohësh punonte Arditi në landfillin e Sharrës?
Kishte diku te një muaj e gjysmë. Unë nuk desha që të punonte aty. Ishte vetë Arditi që këmbënguli.
Unë kam lëvizur shpesh për në Tropojë këto kohë, për shkak të sëmundjes së një të afërmi dhe nuk kam qenë shumë afër tij.
Ai më tha që do të punonte, për të bërë lekët për të blerë rrobat e shkollës në shtator për vete dhe për motrën e vogël.
Nuk më pati thënë as sa e kishte rrogën, por dihet se sa paguhen punëtorët në atë vend. Punonte me turne për një pagë minimale.
Unë madje, nuk e di as nëse ia patën dhënë rrogën. Donte të bënte dy lekë për vetë, të me jepte krah dhe t’i mbulonte me mundin e tij shpenzimet e shkollës. /Panorama





