Politikanët e korruptuar dhe të përfshirë në vepra të ndryshme kriminale do kalojnë të gjithë në përgjim. Me miratimin e reformës në drejtësi do ndryshojë dhe ligji për përgjimet, ku ka një sërë përcaktimesh të reja, duke forcuar rregullat dhe procedurat. Gazeta “SOT” ka siguruar draftin e ndryshuar nga EURALIUS për përgjimet, në kuadër të reformës në drejtësi dhe duket se rolin më të madh në survejime do e ketë Byroja e Hetimit, por dhe policia. Aktualisht, qendra e përgjimeve ndodhet në ambientet e Shërbimit Shtetëror Informativ, ku operon si SHISH, ashtu dhe Prokuroria. Mirëpo me ligjin e ri akses do ketë dhe Byroja e Hetimit, ekskluziviteti i të cilës janë vetëm zyrtarët e dyshuar për vepra të ndryshme korrupsioni. Ajo do ketë një seksion të posaçëm dhe do kalojë në sitë të gjithë gjyqtarët, prokurorët dhe politikanët. Teksa organet e tjera ligjzbatuese do kryejnë përgjimet për kriminelë, ky organ do fokusohet te zyrtarët e lartë. Ndryshe nga ligji i mëparshëm ku përcaktoheshin vetëm përgjime audio, me draftin e ri të përpunuar nga EURALIUS dhe që do kalojë në komision për miratim, është futur dhe përgjimi video. Në disa nene theksohet se pas marrjes së lejes, autoritetet kanë të drejtë të përgjojnë si në ambiente publike dhe në ato private. "Përgjim është ndërhyrja e fshehtë për të kapur, dëgjuar e regjistruar përmbajtjen e komunikimit dhe të dhëna që lidhen me të ndërmjet pikës së nisjes e pikës së mbërritjes si dhe video survejimi i fshehtë i mjediseve private dhe publike dhe dëgjimi e regjistrimi i fshehtë i bisedave në mjediset private dhe publike”, shpjegohet në ligjin e ri. Nga ana tjetër, interesant është fakti se rol të madh përgjimesh kanë dhe policia dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme në Ministrinë e Brendshme, të cilët kanë seksione të posaçme në strukturën e SHISH. Ashtu siç ndodh në shtetet homologe, si Kroacia apo Rumania, Byroja e  Hetimit do vendosë nën përgjim të gjithë ata që dyshohet se kanë marrë para korrupsioni.

Aksesi në telefonat celularë 

Përveçse ekspertët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do kenë të drejtë të vendosin mikrofonë dhe kamera në ambiente të ndryshme, qoftë dhe banesë, ata tani do kenë më shumë ekskluzivitet të kryejnë dhe përgjime të telefonave celularë. Sipas përcaktimeve, nëse kërkohet informacion pranë një kompanie celulare mbi tabulate dhe gjithë informacionet e tjera, ajo është e detyruar t’ia vendosë në dispozicion. “Kur përgjimi nuk mund të realizohet nëpërmjet sistemit të përgjimit, Drejtori i SHISH ose Ministri i Brendshëm, sipas rastit, kërkon ndihmën e çdo operatori të komunikimit elektronik në Republikën e Shqipërisë dhe operatorët janë të detyruar të ndërmarrin hapat e nevojshëm. Në këto raste, operatorit i jepet kopje e vendimit të Kryetarit/Gjyqtarit të Gjykatës së Lartë ose në mungesë të tij një gjyqtari tjetër të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 8 të këtij ligji, me përmbajtje të shkurtuar dhe pa të dhëna që mund të dëmtojnë procesin informativo-gjurmues”, thuhet në ligj. 

Përgjimet në dorë të Gjykatës së Lartë

Përmes ligjit të ri të përgjimeve, hiqet ekskluziviteti i Prokurorisë së Përgjithshme. Aktualisht është ky organ që jep leje për të kryer përgjime, por sipas draftit, do jetë ekskluzivitet i Gjykatës së Lartë, veçanërisht kryetarit të saj. “Kryetari/Gjyqtari i Gjykatës së Lartë ose, në mungesë të tij, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë që merret me çështjet nën juridiksionin e Gjykatës Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar i autorizuar prej tij, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të Drejtorit të SHISH, Ministrit të Rendit Publik, Ministrit të Mbrojtjes Ministrit të Drejtësisë ose Ministrit të Financave, si dhe çdo ministri, që ka në varësi shërbime informative/policore të krijuara me ligj, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e komunikimeve elektronike nëpërmjet pajisjeve të komunikimit elektronik, dhe video survejimin e fshehtë të mjediseve private dhe publike dhe dëgjimin e regjistrimin e fshehtë të bisedave në mjediset private dhe publike”, thuhet në ligj. Sipas tij, sa i takon përgjimeve që do bëjnë prokuroritë e zakonshme autorizimet do jepen nga Kryeprokurori, ndërsa për rastet e korrupsionit do e ketë kreu i SPAK. Një tjetër element interesant është se organet ligjzbatuese shqiptare mund të përgjojnë dhe për llogari të vendeve të huaja. Me kërkesë të një vendi tjetër, SHISH, policia apo Byroja e Hetimit mund të vendosin në përgjim individë të caktuar. Në çdo rast, në kërkesën që do i drejtohet Gjykatës së Lartë, duhet që të tregohet arsyeja e përgjimeve, si dhe objektet ku do instalohen pajisjet. Përveçse Kryeprokurorit i është hequr e drejta që të lëshojë rekomandime për përgjime, është propozuar që të rishikohet dhe ekskluziviteti i tij për pajisjen fundore rekomanduese. Bëhet fjalë për një pajisje ku përmes saj mund të bëhet lejimi ose bllokimi i menjëhershëm i çdo lloj përgjimi. 

Disa prej përcaktimeve në ligjin e ri të përgjimeve

Neni 7- Kërkesa për përgjim

1. Kërkesa për përgjim, e paraqitur nga subjektet e parashikuara në nenin 6 te këtij ligji, hartohet në dy kopje, një kopje depozitohet pranë Kryetarit/gjyqtarit të Gjykatës së Lartë që merret me çështjet nën juridiksionin e Gjykatës Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar dhe një e mban vetë institucioni.

2. Kërkesa përmban:

a) institucionin kërkues, emrat dhe funksionet e punonjësve qe ndjekin procesin informativo-gjurmues;

b) gjeneralitetet dhe adresën e subjektit në proces informativo-gjurmues ose në ndjekje, si dhe adresën e mjedisit/mjediseve me te cilat lidhet kërkesa për përgjim;

c) përshkrimin e komunikimeve elektronike ose të objekteve private apo publike që do të përgjohen dhe, kur është e përshtatshme, të dhënat për operatorin e komunikimit elektronik që i ofron shërbim subjektit që do të përgjohet.

Neni 8- Dhënia e të drejtës për përgjim

Kryetari/Gjyqtari i Gjykatës së Lartë ose, në mungesë të tij, gjyqtar i Gjykatës së Lartë që merret me çështjet nën juridiksionin e Gjykatës Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar i autorizuar prej tij, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të Drejtorit të SHISH-it, Ministrit të Rendit Publik, Ministrit të Mbrojtjes, Ministrit të Drejtësisë ose Ministrit të Financave, si dhe çdo ministri, që ka në varësi shërbime informative/policore të krijuara me ligj, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e komunikimeve elektronike nëpërmjet pajisjeve të komunikimit elektronik, dhe video survejimin e fshehtë të mjediseve private dhe publike dhe dëgjimin e regjistrimin e fshehtë të bisedave në mjediset private dhe publike.

Neni 9- Vendimi për përgjim

Kryetari/Gjyqtari i Gjykatës së Lartë ose në mungesë të tij një gjyqtar tjetër i Gjykatës së Lartë, sipas nenit 8 të këtij ligji, merr vendim me shkrim për kërkesën për përgjim, i cili hartohet në tri kopje. Një kopje e vendimit që miraton kërkesën, mbahet në bërthamën komanduese elektronike të Prokurorisë, një e mban Struktura Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH dhe një kopje institucioni që ka bërë kërkesën.

Neni 12- Sektori i Përgjimeve

1. Struktura Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH realizon vetëm proceset teknike të përgjimit komunikimeve elektronike, video survejimit të fshehtë të mjediseve private dhe publike ose të dëgjimit dhe regjistrimit të fshehtë të bisedave në mjediset publike dhe private, për llogari te institucioneve shtetërore informative, pasi është marrë vendimi për përgjim sipas këtij ligji. Proceset teknike të përgjimit, për llogari të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, realizohen nëpërmjet seksionit të tyre të përgjimeve, të atashuar në strukturën Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH. Për llogari të institucioneve të tjera, procesi teknik i përgjimit kryhet nga punonjësit e autorizuar prej tyre.

2. Punonjësit e Strukturës Përgjegjëse e Përgjimeve në SHISH dhe punonjësit e seksionit të përgjimeve të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, të atashuar në sektorin e përgjimeve në SHISH fillojnë marrëdhëniet e punës pasi njoftohet me pare Prokurori i Përgjithshëm ose/dhe Shefi i Prokurorisë së Posaçme.

Neni 14- Kohëzgjatja e vendimit të përgjimit

1. Te gjitha vendimet për përgjimin e komunikimeve elektronike, video survejimin e fshehtë të mjediseve private dhe publike ose dëgjimin dhe regjistrimin e fshehtë të bisedave në mjediset publike dhe private janë të vlefshme për një periudhe deri në tre muaj. Për çdo zgjatje të këtij afati, institucioni shtetëror informativ i paraqet Kryetari/Gjyqtari i Gjykatës së Lartë ose në mungesë të tij një gjyqtar tjetër i Gjykatës së Lartë, sipas nenit 8 të këtij ligji një kërkesë se bashku me materialin e deriatëhershëm te zbardhur.

2. Çdo zgjatje afati nuk mund të jetë më tepër së tre muaj.

3. Nëse ndodh një ndryshim, që çon në përfundimin se përgjimi apo video survejimi nuk është më i nevojshëm ose praktik për t'u zbatuar, atëherë, me kërkesë me shkrim te institucionit shtetëror informativ ose me nismën e Kryetarit/Gjyqtarit të Gjykatës së Lartë ose në mungesë të tij një gjyqtari tjetër të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 8 të këtij ligji, vendimi revokohet.

Gazeta “SOT”