Kaos nga përmbytjet në Maqedoni. Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se si pasojë e motit të keq, kanë humbur jetën 20 persona, teksa shume persona raportohen te zhdukur.

“Alsat-M” raporton se viktimat janë nga Haraçina, Singeliqi dhe Stajkovci, që janë vendet më të goditura nga reshjet e dendura të mbrëmshme. Një nga lagjet më të goditura nga përmbytjet është edhe lagjia e Hasanbegut, e banuar me shumicë shqiptare. Banorët e kësaj lagjeje kanë treguar se uji iu ka shkuar në banesa si cunam.

Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se nga 20 viktimat, 13 janë identifikuar nga organet kompetente, ndërsa 7 të tjerë janë në proces identifikimi.

Mes viktimave është llogaritur edhe një 13-vjecar, si dhe një grua që humbi jetën nga një shkarkim rrufeje. Ende nuk është bërë i ditur identiteti i viktimave, por besohet se mes tyre ka edhe shqiptarë pasi në këto lagje është i pranishëm ky komunitet.

Autoritetet thonë se numri i viktimave mund të rritet, pasi shumë banorë të këtyre zonave kanë lënë banesat dhe janë larguar dhe ende nuk dihet për fatin e tyre.

 

Nga reshjet, janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale, ndërsa shumë banorë kanë mbetur të bllokuar nëpër fshatra.

Në disa zona periferike të Shkupit si Hasanbeg, Stajkovc dhe zona tjera shqiptarët janë duke u evakuuar për shkak të pamundësisë për të qëndruar në shtëpitë pasi iu janë përmbytur.

Për shkak të situatës presidenti i Maqedonisë, presidenti George Ivanov ka dhënë urdhër për aktivizimin e ushtrisë për të dhënë ndihmën e parë në zonat që kanë dëmet më të mëdha nga reshjet.