Pas muajsh në arrati, policia spanjolle ka arrestuar në Tarragona të Katalonjës shqiptarin Taulant Toma, 42 vjeç, i njohur si mjeshtri i arratisjeve. Ai ishte në kërkim nga drejtësia italiane pasi kishte mundur të arratisej katër herë nga burgjet europiane, tre herë në Itali dhe një herë në Belgjikë. Arrestimi u krye më 23 gusht, ndërsa lajmi u bë publik disa ditë më vonë.

Arratisja e fundit ndodhi më 7 dhjetor 2025, nga burgu i sigurisë së lartë në Opera, pranë Milanos. Sipas hetuesve, Toma kishte prerë shufrat e dritares së qelisë dhe më pas ishte ulur nga muri duke përdorur çarçafë të lidhur me njëri-tjetrin. Pas arratisjes, ai qëndroi i fshehur për rreth tetë muaj.

Siç bëhet me dije nga mediat e huaja, Toma kishte një histori të gjatë arratisjesh. Ai ishte larguar më parë nga burgjet e Ternit dhe Parmës në Itali, ndërsa pas arrestimit në Belgjikë ishte arratisur edhe nga burgu i Lantin, pranë Lièges. Për shkak të këtyre arratisjeve, autoritetet e kishin cilësuar si një person shumë të rrezikshëm. Në Spanjë, policia e gjeti në zonën e Campclar, në Tarragona.

Sipas autoriteteve, ai përdorte dokumente të falsifikuara dhe u identifikua edhe falë tatuazheve dhe një shenje të dukshme në fytyrë. Gjatë arrestimit pati rezistencë dhe dy efektivë mbetën të plagosur. Toma ishte dënuar në Itali për vepra të ndryshme penale, përfshirë grabitje me dhunë, vjedhje dhe trafik droge. Dënimi i tij pritej të përfundonte në vitin 2048. Aktualisht ai ndodhet në burg në Spanjë, ndërsa autoritetet po ndjekin procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.