Një pjesë e degëve të PD-së nuk kanë kryetarë prej tre muajsh. Për shkak të rikonstrukturimit të 35 degëve që nisi në fillim të muajit maj dhe ende vijon edhe pse ishte planifikuar të përfundojë në fund të qershorit, shumë degë kanë mbetur pa strukturat bazë. Pothuajse në gjithë degët procesi ka përfunduar për ristrukturimin e seksioneve dhe grupseksioneve, ndërsa në qarqet kryesore ende nuk janë zgjedhur kryetarët e rinj.
Në qarkun e Tiranës 10 degë janë në zgjedhje. Nga 10 degë në vetëm dy prej tyre ka përfunduar procesi. Në njësinë 12 ku Fatbardh Plaku u zgjodh kryetar, ndërsa në degën 7 është rikonfirmuar sërish Lefter Geshtenja. Zgjedhjet kanë përfunduar për degën e Velipojës ku kryetarë është zgjedhur Nikoll Marku, në Vaun e Dejës është zgjedhur Agim Bushati, ndërsa në Malësinë e Madhe vijon ende.
Ristrukturimi sipas udhëzimit të kryetarit të Partisë Demokratike nisi në maj dhe duhej të përfundonte më 31 qershor. Pothuajse në 35 degët e përfshira në ristrukturim, puna ka përfunduar për seksionet dhe grup seksionet, ndërsa finalizimi i plotë për zgjedhjen e kryetarëve të rinj pritet të përfundojë në shtator.
Situatë tensionuese dhe e pazakontë ka qenë në degën e Durrësit, ku kryetarit Osman Stafa i ndërruan bravat e derës dhe e lanë jashtë, pasi ai kishte deklaruar se nuk kishte ndërmend ta lëshonte karrigen e kryetarit.





