Miratimin e reformës në drejtësi e ka përshëndetur edhe delegacioni i BE-së në Shqipëri, i cili nëpërmjet një deklarate për mediat menjëherë pas miratimit, përgëzon popullin shqiptar, por kërkon implementimin sa më shpejt të reformës.
Bashkimi Europian bën thirrje që zbatimi i reformës të fillojë menjëherë, me qëllim që populli i Shqipërisë të shërbehet nga një sistem gjyqësor që është i bazuar në mënyrë të vendosur në standardet evropiane.
Deklarata e plotë e BE-së:
Sot Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi me unanimitet ndryshimet kushtetuese, të cilat përbëjnë dispozitat për një reformë të thellë dhe tërësore në gjyqësor.
Përgëzojmë popullin shqiptar, udhëheqësit e tyre dhe të gjitha forcat politike të cilat treguan pjekuri dhe përgjegjësi në marrjen e këtij vendimi historik.
Ky hap i paprecedentë adreson një kërkesë të vjetër nga shumica dërrmuese e qytetarëve për një drejtësi të përgjegjshme, të pavarur dhe transparente. Ai përbën gjithashtu një kontribut për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të gjitha këto janë përparësi kyçe për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE.
Tani është e rëndësishme që zbatimi i reformës të nisë menjëherë, me qëllimin që popullit shqiptar t’i shërbejë një sistem drejtësie që bazohet fort në standardet evropiane.





