Zjarri që ka përfshirë disa fshatra të Bashkisë Fier ka marrë përmasa më të mëdha. Flakët janë përhapur me shpejtësi në drejtim të Peshtanit të Vogël duke vënë në rrezik qindra rrënjë ullinj dhe banesa të shumta.
Deri më tani situata paraqitet kritike, ndërsa mësohet se banorët e zonës janë evakuuar si masë paraprake. Banorët janë shprehur të shqetësuar dhe zemëruar duke thënë se nëse ndërhyrja do të ishte bërë më herët zjarri nuk do të kishte këto përmasa.
“Ku është helikopteri, ku është zjarrfikësja? Zjarri mund të ishte parandaluar, po humbasim gjithçka”, shprehet një banor.
Sakaq, flakët vijojnë të përhapen me shpejtësi ndërsa forcat e shërbimit zjarrfikëse po punojnë për izolimin e plotë të vatrës së zjarrit.





