Kuvendi do të rimblidhet në orën 21:00 për të miratuar reformën në drejtësi, më e rëndësishmja e këtij 10-vjeçari. Pasditen e sotme është prezantuar një draft i ri, që sipas Fleckenstein do të jetë i fundit. Mazhoranca dhe opozita janë shprehur pro këtij propozimi të ri.

Mbrëmjen e djeshme Partia Demokratike kërkoi të njëjtën formulë përzgjedhëse si për vetingun, ashtu edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor e atij të Prokurorisë. Kjo kërkesë sipas socialistëve, është e re dhe e padakordësuar më parë. Këtu qëndrimet e palëve u ndanë dhe reforma në drejtësi hyri sërish në ngërç.

Nuk dihet ende nëse me forcën e kartonëve jeshilë do arrihet të përmbyset sistemi problematik i drejtësisë. Kreu i Kuvendit Ilir Meta në nisje të seancës tha se Shqipërisë sot nuk i duhen thjesht 94 vota për të kaluar reformën, pra nuk i duhen deputetë patriotë, por i duhet një konsensus patriotik. Pikërisht në emër të konsensusit, Meta tha se është i gatshëm të marrë rolin e negociatorit.

Sakaq, tre deputetë të PD-së, Majlinda Bregu, Eduard Selami dhe Genc Ruli janë shprehur pro votimit të reformës sot në Kuvend, duke u ndarë nga qendrimi i grupit të tyre. Sakaq, punimet e seancës së Kuvendit u ndërprenë, në pritje të një marrëveshje mes palëve.