Mungesa e sinjalistikës në rrugën e re Tiranë–Dajt shkakton tjetër aksident. Dy vëllezër, 16 e 10- vjeçarë mbetën të plagosur rëndë, pasi u përplasën nga një makinë që lëvizte me shpejtësi. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00 të ditës së martë, kur dy të miturit, A.P. dhe J.P., po kalonin nga njëra anë e rrugës në tjetrën me një biçikletë.
Në këtë moment, një automjet tip “Ford”, që drejtohej nga 20-vjeçari Edmond Vata, nuk ka mundur të frenojë duke i përplasur të dy. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes duke arrestuar drejtuesin e automjetit, i cili rezultoi se ka shkaktuar aksidentin, për shkak se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara.
Vetëm disa ditë më parë, një tjetër fëmijë rrezikoi jetën, duke qëndruar i shtruar për disa ditë në spital, pasi u përplas nga një makinë që lëvizte me shpejtësi. Ndërsa thuajse çdo ditë aty ndodhin aksidente të lehta, por që sipas verifikimeve në vendngjarje të gjitha ndodhin për shkak të mungesës së sinjalistikës.


