Teksa nuk duket ende asnjë shenjë kompromisi mes palëve politike në Tiranë, komisioneri Johanes Hahn mësohet se i ka dërguar një email tre liderëve kryesorë të vendit, Ramës, Bashës dhe Metës mëngjesin e sotëm.

“U surprizova nga lajmet e natës. Është koha të votohet sipas asaj që ramë dakord bashkarisht. Thjesht mirëpresim votën konsensuale  sipas marrëveshjes politike të arritur” mësohet të jetë shkruar në email, raporton “Ora News”.

Një ditë më parë, komisioneri Hahn dërgoi një email për tre liderët kryesorë politikë në vend duke sqaruar sipas tij pozicionin që do kenë ndërkombëtarët në reformën në drejtësi. Pas kësaj letre, palët konfirmuan se kishin rënë dakort për ndryshimet që do reflektoheshin edhe në Kushtetutë dhe se do miratonin sot reformën.

Por në mbrëmje vonë u prish sërish marrëveshja dhe deri pasditen e së enjtes politika nuk e ka gjetur ende gjuhën e përbashkët, pavarësisht kërkesës së vazhdueshme të ndërkombëtarëve.