Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ka deklaruar se nëse palët nuk do të arrijnë konsensusin për miratimin e Reformës në Drejtësi, ai do ta votojë, por pas kësaj, do të japë dorëheqjen.

Meta tha në nisje të seancës se i ka bërë thirrje Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për të pranuar marrëveshjen e arritur, ndërkohë që palët duhet të vendosin për një vendim jo të njëanshëm, por ka theksuar se konsensusi duhet të gjendet vetëm sipas Venecias. Megjithatë, kreu i Kuvendit ka theksuar se nëse PD nuk jep dakordësi, atëherë ai do ta votojë reformën dhe pa konsensus, e pas këtij momenti do largohet nga drejtimi i Parlamentit.

“E vetmja mënyrë për të arritur konsensusin është sipas Venecias. Unë besoj shumë te përgjegjshmëria e Bashës. Nëse PD pas sqarimit të këtyre momenteve nuk pranon ta votojë unë do ta votoj reformën pa konsensus dhe do jap dorëheqjen”, tha ai.

Apeli i kryetarit të Kuvendit ka shkuar drejtpërdrejt për përfaqësuesit e opozitës, pasi siç u shpreh Meta, nuk mund të lejohet që vendi të qëndrojë prapa edhe për 30 vite të tjera. Nga ana tjetër, Meta i ka bërë thirrje edhe qytetarëve shqiptarë dhe atyre amerikanë që të jenë të qetë pasi nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar.