E thërrasin të gjithë “Pirlo” pas atij 11-metërshi të shënuar dje ndaj Ferencvaroshit që i hapi rrugë kualifikimit të skuadrës së Partizanit për në turin tjetër të Champions League. Alban Hoxha është pa dyshim heroi i skuadrës së Partizanit, pasi, përveçse realizoi golin e tij, arriti të priste edhe tre 11- metërsha të tjerë, madje edhe duke qeshur. Në një intervistë kapiteni tregon emocionet e kualifikimit.
Alban, kishit besuar se Partizani do të kualifikohej në turin tjetër të Champions League?
Të them të drejtën, jo vetëm unë, por të gjithë në skuadër e kishim një besim se një gjë e tillë do të ndodhte, duke parë edhe rezultatin e takimit të parë dhe lojën që kemi bërë në “Elbasan Arena”. Dhe një gjë e tillë u arrit dhe normalisht që jemi mjaft të lumtur që do të vazhdojmë përpara në këtë kompeticion.
Dukej pak e pabesueshme që loja të shkonte deri te gjuajtjet e 11-metërshave…
Nuk mund ta them një gjë të tillë, pasi ne ishim përgatitur edhe për këtë gjë. Stafi teknik e kishte parashikuar se takimi mund të shkonte te penalltitë dhe në stërvitjen e fundit para ndeshjes i kemi praktikuar edhe gjuajtjet e penalltive dhe ashtu shkoi. Ne kemi arritur deri aty, madje edhe jemi kualifikuar.
Ke shënuar një 11-metërsh “alla Pirlo”. E kishe menduar më parë apo thjesht në momentin e fundit gjuajte në atë mënyrë?
Ishte diçka spontane që unë gjuajta në atë mënyrë dhe normalisht jam i gëzuar që shënova dhe i hapa rrugë kualifikimit të skuadrës. Kur vjen puna te goditjet nga pika e bardhë, nuk mendon asgjë, thjesht të gjuash dhe të shënosh. Edhe nëse gabon, askush nuk të bën me faj, pasi në goditjet nga pika e bardhë, është në mes edhe fati.
Por, ti ke arritur të presësh edhe tri të tjera, madje edhe duke buzëqeshur…
Mund të them se ishte dita ime dhe e Partizanit. Kam pritur edhe në të kaluarën penallti, por këto ishin shumë të rëndësishme. E meritonim kualifikimin dhe e arritëm, kjo ka më shumë rëndësi nga të gjitha gjërat e tjera.
Si do ta festoni këtë sukses?
Kemi festuar gjatë në dhomat e zhveshjes. Dua të falënderoj të gjithë tifozët për mbështetjen që na kanë dhënë dhe jam i lumtur që ua kemi shpërblyer me këtë fitore.





