Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një dalje urgjente për mediat këtë mëngjes, para hapjes së seancës në Kuvend për votimin e reformës në drejtësi, ka bërë të ditur qëndrimin e partisë që ai drejton.
Basha theksoi se nuk ka pasur asnjë kusht të ri nga PD-ja, pavarësisht asaj që është thënë një natë më parë, se kreu i demokratëve ka kërkuar kushte të reja pas marrëveshjes së arritur gjatë paradites.
“Nuk kam kërkuar kushte të reja pas marrëveshjes. Është mashtrim! Ky është mashtrim i pacipë. Ka një marrëveshje mbi tavolinë”, tha Basha i cili i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të zbatojë marrëveshjen e arritur mes palëve, sipas së cilës, krijimi i katër institucioneve të Reformës në Drejtësi të bëhet sipas nenit 88, që parashikon zgjedhjen me 2/3-tat e votave edhe për KLGJ-në e KLP-në.
“Ne kemi një marrëveshje dhe jemi gati ta miratojmë sot në Kuvend. Mbi tavolinë ka një marrëveshje dhe Edi Rama duhet ta miratojë atë. PD-ja do të jetë në Parlament për të miratuar këtë marrëveshje”, theksoi Basha.





