E enjtja e sotme nuk është e zakonshme jo vetëm për politikën, por për të gjithë shqiptarët. Ligjvënësit shqiptarë duhet të votojnë sot një prej reformave më të rëndësishme të një shteti, atë të reformës në drejtësi.
Forca e kartonit jeshil sot do të vendosë një hap të rëndësishëm për Shqipërinë, në rast të kundërt vendi ynë do të penalizohet rëndë në rrugën e integrimit europian.
Në momentin kur u duk se gjithçka mori fund për arritjen e konsensusit, ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte. Palët politike thyen dakordësinë, duke rrezikuar miratimin e draftit kushtetues.
Orët e vona të mbrëmjes së djeshme ishin një kthesë prapa për atë “konsensus” të konfirmuar nga dy liderët politikë të dy forcave kryesore politike, PS dhe PD.
Ngërçi u bë diskutimi për anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së, për të cilët opozita po priste mbledhjen e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. Deputeti Bylykbashi tha:
“I vetmi element themelor që është i padiskutueshëm është që zgjidhja për formulën e zgjedhjes së katër organeve të parashikuara nga neni 88, pra Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dhe Komisionit të Vetingut, do të jetë një e vetme.”
Ndërsa Kreu i Komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, deklaroi se komisioni do të mblidhej në rast se do të kishte një çështje për të diskutuar. /Ora News





