Ndërsa pritej formalizimi i marrëveshjes politike të konsensusit për reformën në drejtësi, duket se gjatë orëve të mbrëmjes gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duhet, pasi mbledhja e Komisionit të Posacem të Reformës, ku pritej të bëhej edhe miratimi, ka nisur pa përfaqësuesit e mazhorancës, ndërsa është parë vetëm kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.
Shkak i ngërçit me sa duket është bërë mosdakordësia për krijimin e dy institucioneve; Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Mësohet se Partia Demokratike pohon se formula për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë, do jetë e njëjtë si për ‘Vetingun’. Nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi deklaroi se pa miratimin sot, drafti nuk mund të shkojë nesër në Kuvend.
Sipas informacioneve që përcjell gazetarja e ‘News24’, Eglantina Alliaj, Partia Demokratike pret që marrëveshja e arritur mes palëve, të nënshkruhet dhe duhet të bihet dakord mes palëve për të. Sipas burimeve pranë PS-së, nënshkrimi i kësaj marrëveshje i takon negociatorëve dhe jo Komisionit të Posaçëm të Drejtësisë.
MANJANI
Nga ambientet e selisë së Kuvendit, një nga negociatorët e emëruar për të përfunduar me sukses mbylljen e marrëveshjes për reformën në drejtësi, përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani pohoi se roli i tyre ishte për të mbyllur gjërat pezull. Sipas Manjanit, ditën e hënë u diskutua mbi propozimin hidrit, propozimi i Nuland. Ai theksoi më tej se negociatat kanë qenë dypalëshe, PD-PS, ndërsa të hënë u arrit mbyllja me konsensus për çështjen e Vettingut. “Diskutuam me Hahn për çështje që kishin ngelur pezull për propozimet e Nuland, që kishte të bënte me procesin e Vetingut. E konfirmoj atë që tha zoti Bylykbashi për atë që ishte rënë dakord. Kanë qenë negociata dypalëshe, Agaci dhe Bylykbashi më kanë thënë se ishin marrë vesh. Për shkak se mbledhja u ndërpre papritur, kanë ngelur dy çështje pa zgjidhur që u thanë në letrën e zotit Hahn dhe çështja u quajt e zgjidhur. Nuk kemi pasur asnjë reagim as nga partitë e tjera dhe nga ekspertët e tjerë. Ne jemi mbledhur në grupin negociatat pasi u mblodh tryeza e Partive politike dhe ata na mandatuan që të merreshim vesh për çështjen e fundit; për rolinn e ndërkombëtarëve. Unë nuk e di ça janë negociatat e PD-PS. Ne kemi mbyllur çështjen e rolit të ndërkombëtarëve dhe çështjen e seleksionimit të atyre që do konkurrojnë në çështjen e Vetingut. Ne kemi rënë dakord që të ishin tre nga maxhoranca dhe dy nga opozita. Nuk hy në detaje. Unë nuk jam kryetari i negocatorëve.”, tha Manjani.
BYLYKBASHI
Nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi deklaroi se prej më shumë se dy orësh opozitarët po presin mazhorancën që të miratojnë draftin e dakordësuar. Sipas tij, nëse nuk miratohet sot, rrezikohet votimi nesër.
“Po mblidhemi për të dakordësuar ndryshimet, jemi mbledhur që në 20:30 ka më shumë se dy orë që socialistët refuzojnë të mblidhen për të bërë këto ndryshime që janë të domosdoshme. Miratimi është esencial dhe i domosdoshme që propozimi i Nuland të shkojë për votim nesër. Moskryerja e bën të pamundur që parlamenti të votojë nesër. Mungesa dhe bojkotimi nga anëtarët socialistë vë në rrezik votimin nesër”,- tha ai.
Duke sqaruar pozicion opozitar, Bylykbashi shtoi: “Kam deklaruar se formula për Këshillin e Lartë gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë do jetë e njëjtë si për vetingun, e konfirmoj se kjo ka qenë një marrëveshje në diskutim. Në mbledhjen e ditës së hënë është ngritur si çështje formula për vetingun e njëjta si në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Kjo u mbështet edhe nga zonja Nuland, çdo gjë tjetër e futur në draftin kushtetues nga komisioni i zotit Xhafaj ka sjellë në këtë draft diçka të pa rënë dakord. E theksoj se mungesa e PS sot vë në rrezik seancën nesër”.
STRAZIMIRI
Bllokimin e marreveshjes e ka konfirmuar me heret edhe deputeti i PD-së Gent Strazimiri, i cili shprehet se anëtarët e PS-se janë fshehur në një kohë që duhet të kishte nisur mbledhja. Sipas Strazimirit, nëse nuk formalizohet sot marrëveshja, nuk miratohet dot në seancën e nesërme plenare.
“LIVE nga salla e Komisionit të Reformës në Drejtësi: Nata ra’ siç e pata merakun…. Dhe, siç ia pata frikën pak orë më parë, po presim në Kuvend të mblidhet Komisioni i Posaçëm për të përfshirë në draft marrëveshjen e arritur pak orë më parë, se ndryshe nuk miratohet dot në seancën e nesërme…Shokët e Partisë janë fshehur dhe nuk përgjigjen…Mjerot anembanë kanë marrë porosi të raportojnë se ç’po bisedohet në … mbledhjen që ende s’po mblidhet…”, citohet në mesazhin e Strazimirit në ‘Fb’.





