Vrasja e 34-vjeçarit Olsi Kaptina, në një lokal në rrugën “Londër”, në Kamzë, ka bërë që Policia e Tiranës të nisë edhe një hetim tjetër paralel, në lidhje me aktivitetin e dyshimtë që ushtrohet në “lokalin e Verës”.
Kanë qenë banorët e pallateve dhe banesave përreth këtij lokali, të cilët kanë dorëzuar firmat në Komisariatin nr.5, duke ngritur si shqetësim aktivitetin e paligjshëm që, sipas tyre, ushtrohet në atë lokal.
Banorë të lagjes aty ku ndodhi ngjarja kanë thënë në Polici se kjo nuk është hera e parë që ndodhin konflikte të tilla në atë lokal. Ata thonë se i kanë shtëpitë fare pranë ndërtesës, që, sipas tyre, duket si shtëpi banimi, por është lokal, si dhe ka disa dhoma, ku dyshohet se ushtrohet prostitucion.


