Detaje të tjera të reja mësohen nga vrasja që gruaja i bëri burrit në fshatin Barbullush të Bashkisë së Vaut të Dejës. Mirela Buzalli, 35 vjeçe goditi me sëpatë mëngjesin e së hënës bashkëshortin e saj, 45-vjeçarin Shkëlzen Buzalli teksa ky i fundit po flinte. Pas ngjarjes së rëndë, autorja e krimit ka shkuar në Polici dhe ka rrëfyer gjithçka çfarë ka ndodhur.

Fillimisht, gruaja nuk ka dashur që të flasë shumë për oficerët e policisë dhe është mjaftuar duke thënë se ka pasur xhelozi mes tyre dhe se bashkëshorti i saj e ka goditur disa herë kohët e fundit duke e kapur nga flokët e madje e ka fyer edhe nga ana fetare. Por, oficerët kanë vijuar që ta pyesin disa herë në momente të ndryshme 35-vjeçaren, Mirela Buzalli, e cila mbyti bashkëshortin e saj me sëpatë teksa ai po flinte.

Gradualisht gruaja ka nisur që të tregojë më shumë për rrethanat në familjen e tyre dhe shkaqet që e kanë çuar në krimin e rëndë. Ajo që ka lënë të kuptohet 35-vjeçarja është se brenda në dhomë kur ka ndodhur ngjarja ka qenë djali 12-vjeçar. I mituri, sipas nënës së tij, po flinte me babanë në shtrat veçmas.

Kohët e fundit, çifti flinte në një dhomë, por në shtretër të ndarë për shkak të konflikteve që kishin nisur kohët e fundit. 35 vjeçarja ka rrëfyer se është siguruar që përpara se ta godiste bashkëshortin e saj të mos i ndodhte asgjë djalit të saj 12-vjeçar.

Të gjithë ngjarjen e ka menduar dhe përgatitur vetëm natën e fundit pasi debatet mes çiftit kanë qenë të ashpra ka treguar Mirela në Polici.