Durrësi është mbipopulluar me pushues vendas e të huaj. Qarkullimi në rrugë është i vështirë, si për këmbësorët ashtu edhe për makinat.

Piku i lëvizjes është në lagjjen nr.4, pranë tregut të valutës, ku trotuaret janë mbushur me lypës jo vetëm nga qyteti i Durrësit, por edhe nga rrethe të tjera.

Bashkë me lypësit e zakonshëm janë përzier edhe hajdutët e xhepistët. Trotuaret në këtë lagje kanë  mbipopullim pothuajse në çdo orë të ditës, lypësit u “sulen” njerëzve dhe makinave.

Në një situatë të tillë, të gjithë qytetarët duhet të kenë kujdes nga vjedhjet, pasi pikësynimi i hajdutëve janë kryesisht varëset e floririt, portofolët dhe çantat.

“Që në kohën e Enverit këtu qëndronin xhepistët. Po kalove në këtë zonë duhet të sigurosh fort sendet personale se të vjedhin”,- thotë një qytetar.

“Duan të hanë dhe na vjedhin çantat me çfarë kemi brenda”,- thotë një qytetare tjetër.

“Bashkia duhet t’u kishte gjetur zgjidhje. Fëmijët lypës dhe prindërit e tyre që i shfrytëzojnë, nuk duhet të rrinë në rrugë. Kështu shkelen të drejtat e fëmijëve”,- thotë një qytetar tjetër.

Në lagjen nr.4 në Durrës gjenden pikat e këmbimit valutor dhe subjekte të biznesit të vogël. Në këtë zonë janë shënuar rastet më të shumta të vjedhjeve të kambistëve si dhe vjedhjet e qytetarëve nga ana e "xhepistëve".