Serbët vazhdojnë ta kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA duke i shfrytëzuar edhe garat evropiane. Janë tifozët e Crvena Zvezdës ata që për të dytën herë e kanë sulmuar UEFA-n, për shkak se ka pranuar Kosovën. Ndeshja kualifikuese për Ligën e Kampionëve ndërmjet klubit beogradas dhe Vallettas është shfrytëzuar nga tifozët serbë për ta bërë një propagandë anti-Kosovë dhe anti-UEFA.“UEFA mbështet terrorizmin”, shkruhej në koreografinë e ultrasve serbë, të cilët në këtë mënyrë e kanë fyer shtëpinë e futbollit evropian, që e ka pranuar Kosovën. Madje, tifozët serbë kanë shkuar edhe më larg, duke bërë fushatë kundër shqiptarëve të Kosovës, të cilët i kanë akuzuar përmes koreografisë se kinse kanë masakruar serbë dhe se në trazirat e vitit 2004 i kanë shkatërruar kishat serbe nëpër Kosovë. Ndeshja ndërmjet Crvena Zvezdës dhe Vallettas është përcjellë nga një numër i madh shikuesish, të cilët ishin mjaft të zhurmshëm, sidomos kundër UEFA-s dhe Kosovës.





