Teuta nuk u ndahet shkodranëve. Pas Jasmin Raboshtës, afrimit të parë në këtë merkato, dje klubi durrsak zyrtarizoi edhe mbrojtësin Ergi Borshi, i cili në sezonin e fundit ka luajtur me Vllazninë dhe Tërbunin. Të hënën lojtari pritet të firmosë kontratën që e mban lidhur me durrsakët deri në verën e vitit 2017. Borshi dje ka tërhequr dokumentacionin nga klubi shkodran, ku ishte nën kontratë, duke i hapur kështu rrugën transferimit te Teuta. Afrimin e 20-vjeçarit e ka konfirmuar edhe vetë presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu. “Po, kemi arritur marrëveshjen me lojtarin e ri shkodran. Do të jetë pjesë e Teutës pas datës 25 korrik, kur dhe do të hedhë firmën në kontratë”, bëri të ditur presidenti i durrsakëve. Rrustem Hoxha ishte i pari që rinovoi kontratën edhe për një sezon me “djemtë e detit”. Jo më kot drejtuesit e Teutës e nisin këtë proces me kapitenin, teksa në ditët në vijim do të vazhdojnë me lojtarët e tjerë që janë pa kontratë dhe në planet e klubit për sezonin e ri. Sipas të gjitha gjasave, portierët Moçka e Rizvani do të rikonfirmohen. Nga ana tjetër, edhe mbrojtësit E.Hoxha, Kotobelli dhe Shkalla, do të vazhdojnë të jenë pjesë e Teutës. I sigurt është edhe qëndrimi i mesfushorit me eksperiencë, Bledar Hodo, ndërsa dilema ka për Nijaz Lenën. Megjithatë, mesfushori ka deklaruar pak ditë më parë se do të bisedojë fillimisht me presidentin Hasanbelliu dhe më pas do të vendosë. Një pjesë e mirë e ekipit ka kontrata afatgjata, ndërkohë që klubi po shikon për të afruar lojtarë të tjerë, duke kompletuar skuadrën në të gjitha repartet. Presidenti Hasanbelliu ka bërë të ditur se do të ketë lëvizje, teksa pritet të ndërtohet një skuadër që do të synojë sërish pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Gjithsesi, nga klubi nuk ka konfirmime të tjera për ndonjë emër që është piketuar për t’u afruar. Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare te “djemtë e detit”, qoftë për sa u përket lëvizjeve në hyrje, por edhe në dalje.