Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dhënë lajmin e mirë për arritjen e marrëveshjes për reformën në drejtësi.

Basha deklaroi në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp se opozita do ta votojë reformën në drejtësi nesër në Kuvend.

“PD do të japë nesër votat e saj për miratimin e reformës në drejtësi. Është koha për bashkim politik. Akti politik i nesërm është në emër të çdo shqiptari”, u shpreh Basha.

Lideri i demokratëve tha se pas komunikimit me partnerët ndërkombëtarë dhe me rakordimin e eurokomisionerit Johanes Hahn, është arritur që roli i ndërkombëtarëve në procesin e vetingut të jetë rekomandues dhe se vendimmarrja mbetet në duart e kushtetutës shqiptare.

“Sapo kam përfunduar një komunikim intensiv me partnerët europianë dhe amerikanë dha jam para jush për të ndarë lajmin e mirë. Pas komunikimit të fundit të rakorduar nga komisionari Hahn, roli i ndërkombëtarëve rekomandues, vendimmarrja mbetet në duart e kushtetutës shqiptare. Nuk do të përjashtohet asnjë qytetar nga konkurrimi mbi bazën e opinioneve por vetëm mbi bazën e fakteve dhe provave. Konkludimi i këtyre 2 çështjeve të lëna si litarë jashtë në negociatat e së hënës është edhe konkludimi i betejës së PD”, deklaroi Basha.

Mazhoranca ka shprehur vullnetin e saj për të votuar reformën, ndërsa në parim edhe kreu i opozitës ka deklaruar se edhe PD do ta votojë reformën.