Kur kanë mbetur vetëm 24 orë nga mbledhja e seancës parlamentare ku pika kryesore do të jetë reforma në drejtësi diplomatë të lartë nga SHBA dhe BE pritet të intensifikojnë thirrjet për ta votuar atë.
Reagimi i parë ka ardhur nga Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland, e cila u bën thirrje edhe një herë deputetëve të votojnë propozimin hibrid për reformën.
Diplomatja amerikane i kërkon palëve politike në Shqipëri të gjejnë sa më shpejt zgjidhjen dhe të votojnë më 21 korrik propozimin e mbështetur prej saj për reformën në drejtësi.
“Shtetet e Bashkuara dhe unë personalisht kemi qenë për një kohë të gjatë mbështetës të demokracisë shqiptare. Shqipërisë i duhet kjo reformë. U bëj thirrje patriotëve shqiptarë të mbështesin propozimin hibrid që unë përkraha gjatë vizitës sime. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të shpresojnë se udhëheqësit politikë do t’i zgjidhin dallimet që kanë dhe të bashkohen përreth propozimit hibrid. Nëse nuk munden, përgjegjësia do të jetë e deputetëve individualisht që të votojnë në favor të reformave që po kërkojnë 91 për qind e shqiptarëve”, apelon Nuland.





