Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dënuar me 35 vite burg Aleksandër Dushajn, i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Abdullah dhe Skënder Shkami, ngjarje kjo e ndodhur në janar të këtij viti në fshatin Drisht të këtij rrethi, pasi një nga viktimat nuk i dha vajzën për nuse autorit të krimit.

Gjatë fjalës së tij para dhënies së vendimti nga togat e zeza, 31-vjeçari Dushaj shprehu keqardhje për ngjarjen, ndërsa kërkoi mëshirë para trupit gjykues.

“Jam penduar për atë që kam bërë. Nuk doja t’i vrisja dy vëllezërit Shkami, por kam qenë në kushtet e një gjendje të rënduar psikike. Vrasjen nuk e kam paramenduar, ka qenë diçka e çastit. Kërkoj mëshirë”, ka thënë ai.

Organi i akuzës kishte kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të Aleksandër Dushajt. Në përmbyllje të gjykimit, gjyqtarja e dënoi atë me burg për jetë, por që në aplikimin e gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 1/3-n, pra në total 35 vite burg.

Ngjarja

Vrasja për të cilën u dënua Aleksandër Dushaj ka ndodhur më 2 janar, kur ai ekzekutoi me 20 plumba bashkëfshatarët e tij, Abdulla dhe Skënder Shkami, përkatësisht 61 dhe 50 vjeç. Dy vëllezërit kishin refuzuar që të bënim miqësi me autorin, i cili donte vajzën e Skënderit për nuse. Vëllezërit Shkami kishin dalë për vizitat e Vitit të Ri, pasi Skënderi ishte kthyer në atdhe nga Londra ku jetonte, për të kaluar ndërrimin e viteve. Teksa po ktheheshin në shtëpi, në rrugën e Drishtit afër dyqaneve të fshatit, ata janë qëlluar në pritë me breshëri kallashnikovi nga Dushaj, duke ndërruar jetë menjëherë.