Personi që aktualisht është shpallur në kërkim për vrasjen e 34-vjeçarit, Olsi Kaptina, në Kamzë dhe Policia e Tiranës po punon për arrestimin e tij, është një 55-vjeçar me banim në Kukës.

I dyshuari është Adil Doçi, i cili kishte mbërritur në Tiranë paraditen e së dielës, ndërsa kishte vendosur që të qëndronte një natë te disa të afërm të tij në zonën e Bathores.

Por duket se ai kishte dëgjuar për një lokal në rrugën “Londër” dhe kishte vendosur që t’i kalonte disa orë aty, para se të shkonte për darkë te të afërmit e tij.

Dëshmitarët që ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes, kanë treguar në Polici se shtetasin në fjalë nuk e kishin parë herë tjetër, por ai kishte folur me ta dhe u kishte thënë se dikush e kishte rekomanduar që të shkonte te “lokali i Verës”.

Burimet thanë se Doçi, menjëherë pas krimit, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk është zbuluar vendndodhja e tij. Policia ka bërë kontroll në banesat e të gjithë të afërmve që ai ka në Bathore e Kamzë, por deri tani ende nuk është arritur të arrestohet.

 

Motivi i sherrit

Sherri për femrat dhe fyerjet ishin shkaku i ngjarjes në Kamzë, ku Olsi Kaptina, 34-vjeçar mbeti i vdekur, pasi u qëllua me thikë nga 55-vjeçari, Adil Doçi, nga Kukësi, i cili është shpallur në kërkim.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të dielës, në lokalin në pronësi të shtetases Vera H., që ndodhet në rrugën “Londër”, mes një blloku pallatesh.

Sherri që, sipas Policisë, ka nisur për femra ka degjeneruar në fyerje mes viktimës dhe autorit dhe në momentin që Kaptina e ka quajtur “gjysh”, Doçi e ka goditur fillimisht me grusht e më pas me thikë në bark.

“Panorama” shkruan se viktima e autori nuk njiheshin më parë me njëri-tjetrin, por janë gjendur rastësisht në të njëjtin lokal. Ky lokal, sipas Policisë, është mbyllur rreth dy vite më parë, kur pronarja Vera H., u arrestua gjatë një hetimi për prostitucion.    

Burimet thanë se personat e pranishëm kanë qenë të gjithë nën efektin e alkoolit, megjithatë kujtonin se sherri mes viktimës e autorit kishte nisur për një femër.

“Të dy i kishin kthyer disa gota. Filluan të shaheshin nga tavolina në tavolinë. Në një moment Olsi i thotë: ‘Ç’do ti këtu o gjysh?’. Këtu u acarua situata dhe ata u përleshën. Më pas ai zotëria që nuk banon këtu e goditi me thikë në bark”, kanë treguar dëshmitarët në Polici.

Shtetasi Olsi Kaptina, pasi është goditur me thikë, ka dalë vetë nga lokali, derisa është rrëzuar pasi ka ecur disa metra në drejtim të rrugës kryesore.

Në këtë moment ai i ka telefonuar një kushëririt të tij, duke i thënë se ishte plagosur. I afërmi e ka dërguar në Spitalin e Traumës, por 34-vjeçari nuk ka arritur të mbijetojë, duke ndërruar jetë rreth orëve të para të mëngjesit.