Debate të shumta kanë shoqëruar mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ku çështja më e nxehtë e aktualitetit, reforma në drejtësi ka qenë molla e sherrit.

Mbledhja që ka nisur rreth orës 18 e 20 dhe ka përfunduar në orën orën 20:00, pritet të sjellë edhe një qëndrim më afër zgjidhjes të Partisë Demokratike.

Në përfundim të mbledhjes kryedemokrati Lulzim Basha ka përcjellë një qëndrim unanim të gjithë grupit të PD. Basha tha se PD është për miratimin e reformës në drejtësi por ngelet ende një çështje për zgjidhje. Ai tha se negociatat do të vijojnë duke theksuar se ato duhet të jenë të hapura që asnjë palë të mos e përdorë për kapital politik reformën.

“Të shmanget çdo politizim, çdo keqpërdorim politik në këtë fazë të fundit të reformës nga cilado palë. Mund t’ju them se qëndrimi i grupit është unanim, koheziv. PD është për miratimin e kësaj reforme, pro draftit mbi propozimin hibrid. Është e gatshme për zgjidhje. Priremi nga zgjidhja dhe jo bllokimi nga vota konsensuale dhe jo nga skema politike. Sot është e martë pasdite, sonte, nesër gjatë gjithë ditës qëndrojmë të hapur për negociata. Jemi gati të ofrojmë dhe pranojmë zgjidhje të argumentuara në bazë të kësaj kornize parimesh. Nuk jam pesimist, sepse po të kishim malin e problemeve që kishim muajt më parë do thosha se kjo është një reformë drejt dështimit, por kjo është një reformë drejt miratimi. Të ulemi të gjejmë zgjidhje për çështjen përfundimtare që e mban në mënyrë absurde peng zgjidhjen. PD dhe unë jemi këtu për të dhënë një zgjidhje konsensuale për reformën në drejtësi. Shqetësimi i PD është një shqetësim legjitim, për shkak të keqpërdorimit që i është bërë kësaj reforme. Qëndrimi i opozitës është unanim. Ne dje kemi pranuar propozimet e partnerit tonë strategjik dhe presim që reforma të shkojë drejt miratimit”, tha Basha.

BREGU: REFORMA JETIKE, DUHET TË VOTOHET, PD KOALICION ME QYTETARIN

Edhe në përfundim të mbledhjes, deputetja Majlinda Bregu tha se reforma duhet të votohet ditën e enjte dhe se PD nuk ka koalicion me forca politike jashtë spektrit, duke iu referuar LSI-së. Ajo theksoi se PD e ka koalicionin me qytetarin.

“Edhe gjatë kësaj reforme ambasadorët kanë qenë me dëshirën e mrië që të kalojë një reformë konsensuale. Filmat me diversantë nuk i besoj. Kjo reformë është jetike për shqiptarët dhe të gjitha forcat politike.  Kjo reformë ditën e enjte duhet të votohet. PD nuk ka koalicion me forca politike jashtë spektrit të saj, e ka me qytetarin shqiptar”, deklaroi Bregu.