“Do të ishte e gabuar që atletët e pastër të mos lejohen të marrin pjesë në Olimpiadën Rio 2016”. Ky është qëndrimi i Komitetit Olimpik Rus, vetëm pak orë pas publikimit të raportit të WADA-s rreth akuzave për “Doping shtetëror” të Moskës nga viti 2010 deri më 2015-ën, që mund të shoqërohet me përjashtimin e të gjithë atletëve rusë nga Lojërat Olimpike.
Komiteti Olimpik Rus theksoi se nuk është aspak dakord me ata që pretendojnë se përjashtimi i qindra atletëve të pastër rusë nga Olimpiada do të jetë një pasojë e pranueshme pas akuzave të raportit për substanca të ndaluara. Në situatën e krijuar, zv.ministri rus i Sportit, Iuri Nagornykh është pezulluar nga detyra deri në përfundim të një hetimi të brendshëm rreth skandalit të dopingut.Vendimi u firmos nga kryeministri Dmitri Medvedev në orët e vona të mbrëmjes së të hënës. Nuk mungoi as reagimi i presidentit Vladimir Putin, që pas raportit të publikuar nga WADA, premtoi pezullimin e përkohëshëm të të gjithë drejtuesve publikë, emrat e të cilëve figurojnë në raportin e Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut. Ndërkohë, Komiteti Olimpik Rus hodhi dyshime rreth dokumentit të WADA-s, në të cilin konfirmohet “dopingu shtetëror” dhe pretendon “zhvillimin e hetimeve të mëtejshme, me pjesëmarrjen e të gjithë palëve të përfshira”.“Ata që synojnë të realizojnë ëndrrën olimpike nuk duhet të varen nga akuza të pabazuara apo nga veprimet kriminale të disa individëve”, thuhej në qëndrimin e Komitetit Olimpik Rus.





