Gjatë këtij sezoni veror, rreth 400 turistë polakë mbërrijnë çdo javë në Durrës nëpërmjet agjensive turistike. Siç bën të ditur për DurrësLajm, një nga guidat turistike që shoqëron turistët gjatë qëndrimit të tyre në qytetin bregdetar, çdo javë mbërrin në Rinas një fluturim charter nga Polonia, e më pas turistët mbërrijnë në Durrës me anë të autobusëve të vënë në dispozicion të tyre.

Turistët polakë, përveç banjove të diellit, në guidat turistike kanë të përfshira edhe vizitat në sitet arkeologjike e historike të qytetit antik.

Një grup i madh turistësh polakë, kryesisht i moshave të reja, ka vizituar këto site të lashta gjatë paradites së sotme.

Në prononcimet e tyre, të rinjtë polakë kanë deklaruar se po e vizitojnë qytetin e Durrësit për herë të parë e janë të mrekulluar me klimën dhe atë çfarë u ka ofruar ai.

Ciceroni i grupit turistik vlerëson bashkëpunimin me agjensitë turistike, gjë që ka bërë të mundur këto vitet e fundit që një numër i madh polakësh të vizitojnë Durrësin.

Vendosja e fluturimit charter një herë në javë, që nga viti i kaluar, ka bërë të mundur që vit pas viti ky numër të shtohet.

Pjesa më e madhe e turistëve polakë akomodohen në hotelet e Durrësit dhe qëndrojnë aty 1-2 javë. Ndjekim videon.