Ministri i Punëve të Brendshme së Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë se janë 70 luftëtarë aktivë nga Kosova në luftëra të huaja.

“Fatkeqësisht janë edhe 38 individë të gjinisë femërore dhe 27 fëmijë në zonën e konfliktit ekstra të këtyre që janë në luftë. Janë 57 shtetas të Kosovës që janë deklaruar të vdekur dhe nuk mund t’i cilësojmë të vrarë”.

Ai është shprehur se mosha mesatare e atyre që janë nga Kosova e që po marrin pjesë në luftërat e huaja, kryesisht në Siri e Irak janë të moshës 18 deri 27 vjeç, njofton “Klan Kosova”.

“Ndërkohë në periudhat e vonshme kemi një trend për moshë mesatare ende më të ulët, një numër të të rinjve që në masë të madhe janë persona të mitur që duket se janë subjekt i plleshëm për të indoktrinuar”.

Hyseni tha se policia ka iniciuar hetime penale për 109 persona nga viti 2012. “Nga ky numër janë arrestuar 102 persona dhe për 70 janë ngritur aktakuza ndërkohë që janë dënuar 34 prej tyre”.

Ai tha se në të gjitha periudhat, janë 314 qytetarë të Kosovës që kanë marrë pjesë në luftë në Siri e Irak ndërsa sipas tij, policia ka arritur të ndalë 40 prej tyre para se të arrinin në pikat e krizës në Siri apo Irak.