Ambasadori amerikan Donald Lu ka paralajmëruar pasoja të rënda nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rast se nuk votohet reforma në drejtësi ditën e enjte.
Lu ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me qytetarë të Tiranës, të cilët i kanë shprehur atij dëshirën për miratimin e reformës në drejtësi, me argumentin se politika nuk mund t’i mbajë peng ata.
Nga ana e tij, Lu ka bërë me dije se, dje, pas takimit të shkurtër, ekspertët u takuan deri në orën 2 të mëngjesit, por pa arritur një marrëveshje.
“Pas 18 muaj negociata, disa prej tyre treguan se nuk duan marrëveshje. Rama u dorëzua, dha atë që donte Basha, 6 me 6, por edhe kjo nuk mjaftoi”, ka thënë Lu, i cili e ka kritikuar për qëndrim të dyfishtë liderin e opozitës.
“Ata s’mund të pranojnë që të huajt të bëjnë vlerësime, kjo është e çuditshme! Më 19 maj Basha na tha se të huajt do ta pastronin peshkun nga koka, ua tha këtë edhe deputetëve të PE-së. Tani papritur ndryshon qëndrim”, ka komentuar Lu.
“Unë po iu dorëzoj partive detajet specifike për këto pasoja. Ato do të jenë të rënda dhe afatgjata”, ka paralajmëruar Lu.





