Luan Mema, marinari i anijes “Çelepia 2” ka dhënë një prononcim për DurrësLajm, menjëherë pasi ka mbaruar seancën e pyetjeve në policinë e Durrësit.

36-vjeçari i larguar një muaj më parë nga porti i Durrësit, më 18 qershor, në prononcimin e tij sqaroi rrethanat e marrjes peng te anijes dhe atë çfarë ai di mbi fatin e kapitenit Dhimitër Malja.

Mirë që shpëtova gjallë nga e gjithë kjo histori, pasi egjiptiani Adel Sallam e mori peng anijen vetëm për para”,- e nisi rrëfimin e tij marinari 36 vjeçar.

Duke u ndalur tek fati i kapitenit Dhimitër Malja, për të cilin nuk ka asnjë informacion prej mëse një muaji Luan Mema u shpreh:

“Nuk e di se çfarë është bërë me Mitin (Dhimitër Maljen). Mua, Adel Sallam, më ka hedhur ilac gjumi e nuk di sa kam fjetur. Mendoje se kam qenë në gjumë për 2-3 ditë. Kur u ngrita nuk e gjeta Mitin në anije, nuk e di ku e ka lënë egjiptiani”.

Më tej, Mema tha se do shkonte të bënte një vizitë edhe në shtëpinë e kapitenit Malja, për t’u takuar me familjarët e tij, që presin me ankth të mësojnë ndonjë gjë mbi fatin e të dashurit të tyre.

“Deklarimet e mia i kam dhënë para hetuesve e prokurorëve. Shpresoj të gjendet sa më shpejt kapiteni Malja”, tha Mema në fund të prononcimit së tij.

Luan Mema ka mbërritur sot me avion në aeroportin e Rinasit nga Egjipti. Falë angazhimit të Ambasadës Shqiptare atje ai u pajis me dokumentet e nevojshme për kthimin në atdhe.

Në aeroport, policia kufitare ka bërë dorëzimin e tij në policinë e Durrësit, mëngjesin e sotëm, pasi në skedën policore rezultonte i zhdukur.