Durrsakët në përgjithësi janë indiferentë ndaj çdo gjëje që ndodh në qytet.
Ky është mendimi personal që shpreh në një status të shkurtër në “Facebook”, Dom Gjergj Meta, famullitari në dioqezën e Durrësit, njëherësh edhe publicist e personazh i njohur mediatik e një nga njerëzit më të ditur të klerit katolik.
“Edhe kur erdhën pushtuesit italianë në 1939-n, i vetmi që reagoi ishte një ulqinak…”, përfundon statusi i Dom Metës, e menjëherë kanë vërshuar komentet nga disa qytetarë durrsakë, një pjesë e të cilëve ndajnë të njëjtin mendim me të.
Ka dhe nga ata që e kundërshtojnë priftin katolik për këtë mendim, duke u shprehur se janë pjesërisht dakord me faktin që durrsakët janë indiferentë në lidhje me atë çka ndodh në qytetin e tyre.
“Durrsakët menduan se italianët i kanë vllazën dhe do t’i ndihmojnë, dhe pak a shumë ashtu ndodhi, ndërsa ai ulqinaku që po thua i priti me armë nga inati që nuk zbarkuan në Ulqin”, argumenton një komentues.
Ndërsa disa të tjerë e përgëzojnë priftin karizmatik të njohur për komentet e tij pikante dhe të vyera, dhe e urojnë për statuset që poston, pasi nëpërmjet tyre, po zgjon disa nga gjumi letargjik.





