Takimi për reformën në drejtësi mes tre krerëve të partive kryesore në vend ka përfunduar.
Kryeministri Rama dhe Kreu i Kuvendit kanë dalë rreth orës 17:45 nga Kryesia e Kuvendit. Ndërsa kreu i PD-së u largua pak më vonë.
Më herët, rreth orës 17:00 u largua i vetëm, Fatmir Xhafa. Takimi u zhvillua pa praninë e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin.
Menjëherë pas takimit kryeministri shkroi në Twitter se do flasë për fatin e reformës në drejtësi dhe asaj çfarë u diskutua në takim në orën 19:00. Ndërsa 1 orë pas tij, kryeopozitari Basha do thotë versionin e tij për publikun.
Kreu i PD-së ishte i shoqëruar nga Oerd Bylykbashi, ndërsa Rama nga Xhafaj dhe Meta nga Manjani dhe Vasili.
Pas mbarimit të takimit kokë me kokë Rama-Meta-Basha, në një deklaratë për mediat kreu i PD-së deklaroi se ky ishte një takim i vlefshëm mes palëve, ndërsa pritet që me negociatorët e emëruar nga secila palë të jepet edhe lajmi i mirë për gjithë shqiptarët për fatin e reformës. “Uroj që negociatorët e sapomandatuar do bëjnë punë të mirë për t'i dhënë shqiptarëve dhe aleatëve lajmin e mirë”, theksoi Basha.
Nga ana tjetër, Basha theksoi se po merren në konsideratë edhe ‘propozimi hibrid’ edhe ‘Rekomandimet e Venecias’.
“Falenderoj Metën për këtë konsulencë. E vlerësoj këtë si një takim konstruktiv. Në fund të takimit kemi angazhuar nga një përfaqësues të tyre për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimeve të Venecias. Për ne kjo është një mundësi për të përmbyllur me sukses draftin e reformës. Ndaj siç e kam thënë, Bylykbashi ka fuqinë për të gjetur një zgjidhje mbi rekomandimin hibrid dhe ‘Venecias’”,- tha Basha
Një ditë më parë Meta i ftoi zyrtarisht dhe të parët konfirmuan takimin ishin dy ambasadorët.
Por ambasadori Lu dhe Vlahutin njoftuan se nuk do të merrnin pjesë në këtë takim.
“Ambasadorët Vlahutin dhe Lu informuan Kryetarin e Kuvendit z. Meta se pas deklaratës së z. Basha, ambasadorët nuk e kanë të mundur të marrin pjesë në negociatat e parashikuara për 18 korrik. Z. Basha foli për një qeveri teknike dhe nuk e përmendi propozimin hibrid që ai diskutoi me Ambasadoren Nuland më 10 korrik. Nëse z. Basha e rideklaron angazhimin e tij të mëparshëm për të negociuar ekskluzivisht mbi bazën e propozimit hibrid, vetëm atëherë ambasadorët do t’u bashkohen këtyre diskutimeve”, shkruan deklarata.





