Dy persona kanë vdekur, dhjetëra të tjerë janë shtruar në spital, ndërsa qindra janë prekur nga një epidemi infeksioni, e shkaktuar nga bakteri E.coli.

Ngjarja që ka tronditur Britaninë e madhe, ka infektuar mbi 150 persona, shkruan Telegraph.

Sipas autoriteteve britanike, shkaktare e këtij infeksioni është rukola e paketuar në qese, që tregtohet nëpër supermarkete.

Autoritetet sanitare kanë urdhëruar grosistët që furnizojnë rrjetin e supermarketeve dhe restoranteve në Britani, të ndërpresin importimin e bimës mesdhetare.

Dyshohet se bakteri E.coli gjendet në fletët e infektuara të rukolës, që gjen një përdorim të madh në sallatrat e ndryshme.

Por gjithsesi, rukola do të vazhdojë të shitet, pasi Food Standards Agency (Fsa) ka deklaruar se nuk ka ende prova të mjaftueshme për të justifikuar tërheqjen nga tregu të këtij produkti.

Food Standards Agency (Fsa) i ka rekomanduar konsumatorët t’i lajnë mirë produktet që do t’i konsumojnë të gjalla.