Në pikun e sezonit veror, ndërsa është shtuar fluksi i automjeteve në qytet, asnjë masë nuk është marrë për sinjalistikën rrugore në Durrës. Në pjesën më të madhe, rrugët e Durrësit u çanë, për t’u shtruar kabllot e 20 kilovoltëshit, por pas mbylljes së punimeve rrugët kanë mbetur gunga– gunga. E si të mos mjaftojë kjo, semaforët nuk punojnë në pjesën më të madhe, ndërsa aty ku dikur ka patur vijëzime të bardha, nuk ka mbetur më asnjë gjurmë e tyre.
Mungesa e sinjalistikës, mosrespektimi i Kodit Rrugor, infrastruktura e dobët, si dhe shtimi i mjeteve motorike ka ndikuar në shtimin e aksidenteve fatale për jetën në segmentet brenda qytetit. Po kështu, mungesa e sinjalistikës ka ndikuar në çrregullimin e qarkullimit rrugor, duke u shndërruar në një rrezik për drejtuesit e automjeteve.
Ndonëse realiteti tregon që në Durrës prej vitesh nuk janë marrë masa jo vetëm për investime, por as për vijëzime dhe vendosjen e tabelave orientuese, neglizhenca e institucioneve përkatëse për rritjen e sigurisë rrugore, bën që e gjithë barra e këtyre mungesave elementare të bjerë mbi punonjësit e qarkullimit rrugor, të cilët përpiqen të mbajnë vetë nën kontroll gjendjen e trafikut dhe të paralajmërojnë drejtuesit për rreziqet e mundshme.
K.H.





