Siç u ra dakord një ditë më parë, kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit, Ilir Meta dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha do të takohen sot në orën 16:00 në Kryesinë e Kuvendit për të gjetur një zgjidhje për reformën në drejtësi, por pa 2 ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin.

Ambasadorët kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë pas deklaratës së kreut të PD-së, Lulzim Basha, që nuk e përmend propozimin hibrid, kusht i Lu dhe Vlahutin për të marrë pjesë në takim. Nga ana tjetër burime nga PD thonë se nuk ka tërheqje pas deklaratës së ambasadorëve.

“Ambasadorët Vlahutin dhe Lu informuan Kryetarin e Kuvendit z. Meta se pas deklaratës së Bashës, ambasadorët nuk e kanë të mundur të marrin pjesë në negociatat e parashikuara për 18 korrik.
Keu i demokratëve foli për një qeveri teknike dhe nuk e përmendi propozimin hibrid që ai diskutoi me Ambasadoren Nuland më 10 korrik. Nëse  Basha e rideklaron angazhimin e tij të mëparshëm për të negociuar ekskluzivisht mbi bazën e propozimit hibrid, vetëm atëherë ambasadorët do t’u bashkohen këtyre diskutimeve”, thuhet në njoftimin e ambasadave.

Një ditë më parë kryeparlamentari Meta ftoi zyrtarisht në një takim në kryesinë e Kuvendit për të gjetur konsensus për reformën, Ramën, Bashën dhe dy ambasadorët. E duke qenë republikë parlamentare, nuk mund të mungojë kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin kanë qenë të parët që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës e më pas kryeministri Edi Rama, por kushti i tyre ka qenë që në tryezën e debatit të jetë vetëm propozimi hibrid i Nuland dhe jo propozimi i PD.

Ndërsa sot edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha iu përgjigj pozitivisht ftesës, duke thënë se takimi duhet të fokusohet tek opinioni i Venecias.

“Partia Demokratike dhe unë e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë krijimin e një qeverie teknike si një domosdoshmëri për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe për stopimin e krizës së gjithanshme të vendit. PD është e gatshme të marrë pjesë në këtë format takimi, të ekspozojë pa asnjë paragjykim apo prapamendim bazën ligjore të propozimeve të saj për vetingun, të negociojë zgjidhje që mundësojnë plotësisht rolin më aktiv të ndërkombëtareve në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit te Venecias”, deklaroi Basha.