Rikthehet në Shqipëri gjyqtarja e akuzuar për korrupsion, Majlinda Andrea nëpërmjet portit të Durrësit, nga i cili u largua po pak orë para se të jepej vendimi nga kolegët e saj për pezullimin nga detyra.
Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Andrea akuzohet nga prokuroria se ka marrë ryshfet prej 50 mijë eurosh për një çështje gjyqësore në Gjykatën e Lartë në lidhje me një pronë prej 40 hektarësh në Butrint.
Gjyqtarja është pezulluar nga detyra si anëtare e Gjykatës së Lartë, për të cilën është njoftuar edhe Kuvendi i Shqipërisë.
Por Gjyqtarja Andrea,e cila akuzohet së bashku me bashkëshortin e saj në këtë çështje, është rikthyer nga Italia pa të. Bashkëshorti, Odhise Andrea, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë arrest me burg nuk ka mbërritur në Shqipëri.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhej se bashkëshorti i gjyqtares kishte marrë shumën e parave nga shtetasi Ilia Çabiri, i cili kishte çuar çështjen në Gjykatën e Lartë për një pronë prej hektarësh në Butrint.
Shuma e parave sipas Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka hetuar rastin, është dhënë një ditë para vendimit, pra më 11 korrik 2016, ndërsa një ditë më vonë, Gjykata e Lartë ka shqyrtuar padinë dhe paditësi ka përfituar pronën me vendim në favor të shtetasit Ilia Çabiri.
Vendimi është marrë më 12 korrik dhe gjyqtarja Andrea ishte anëtare e trupës që shqyrtonte çështjen.
Ndërsa Odhise Andrea, ishte me detyrë këshilltar në Komisionin e Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë.





