Federata Ndërkombëtare e Kanoes (ICF) ka përjashtuar sot nga Lojërat Olimpike “Rio 2016” delegacionet e Rumanisë dhe Bjellorusisë. Motivi i është i njëjtë me atë që ka lënë atletikën ruse jashtë Olimpiadës, dopingu. Te sportistët e këtyre dy vendeve, në sportin e kanoes, është verifikuar një përdorim masiv i dopingut e veçanërisht i “meldoniumit”, duke hipotizuar një lloj “doping i autorizuar nga shteti”. “Përjashtimi i Rumanisë dhe Bjellorusisë është i menjëhershëm. Do të bëjmë gjithçka që ky sport të qëndrojë i pastër dhe ata që mashtrojnë të dënohen”, ka thënë sot Jose Perurena, president i ICF-së, duke komentuar vendimin e përjashtimit të Rumanisë dhe Bjellorusisë nga “Rio 2016”. Përjashtimi i këtyre dy shteteve ka liruar dy vende, të cilat do të përzgjidhen ditën e hënë. Bjellorusia pati 5 raste doping gjatë testeve surprizë muajt e fundit, ndërsa në Rumani dopingu ka qenë sistematik gjatë këtij viti në garat e kanoes.





